Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhunimin e të miturës në Istog
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me gjyqtarin e procedurës paraprake Shaqë Curri, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit T.P., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
I pandehuri dyshohet për dhunimin e një të miture në Istog.
Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri T.P. ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1, si dhe lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Paraburgimi i është caktuar nga data 29.01.2026, ora 14:30, dhe do të zgjasë deri më 28.02.2026, ora 16:00. /Telegrafi/


