Please enter at least 3 characters.

Një Ministri e Punëve të Jashtme për Prizrenin

- Deri kur do të vazhdojnë arsyetimet e “buxhetit të limituar”?-

Arsyetimi më i shpeshtë dhe justifikimi më i lehtë i të gjithë institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës për mosrealizim të premtimeve, nevojave të qytetarëve, projekteve zhvillimore dhe mosofrim të shërbimeve të duura publike është “buxheti i limituar” dhe pamundësia financiare për t’i kryer të gjitha punët. Shumë shpesh këtë arsyetim e ka përdorur edhe kryetari aktual i komunës së Prizrenit dhe zyrtarët tjerë të qeverisë së tanishme lokale. Por, a mund të pranohet ky arsyetim dhe deri kur duhet t’i tolerojmë zyrtarët e qeverisë lokale që mospunën dhe neglizhencën e tyre ta kamuflojnë me justifikime buxhetore? Gjithsesi mendoj se përgjigjia është negative, së paku për dy arsye: se Prizreni ka një buxhet mjaft të madh (në vitin 2010 do ta ketë rreth 30 milionë), dhe se ka shumë mundësi tjera për tërheqje fondesh dhe rritje të buxhetit komunal. Derisa e para është një fakt i pamohueshëm, dëshiroj të ndalem tek çështja e dytë, mundësia e rritjes së buxhetit komunal, duke mos ui kufizuar vetëm me të hyrat vetanake dhe grantet qeveritare.

Figurativisht, mund të them se Prizrenit i duhet një Ministri e Punëve të Jashtme. Konkretisht, kryetari i komunës duhet të krijojë një ekip prej këshilltarësh dhe bashkëpunëtorësh më të ngushtë të tij, të cilët përveç mandatit primar, do të angazhoheshin edhe në përgatitjen e Strategjisë për bashkëpunim me jashtë dhe tërheqje fondesh, projektesh dhe investimesh zhvillimore për komunën. Ky bashkëpunim që do të sjellte mundësi, fonde dhe investime të reja zhvillimore për komunën duhet të ndërtohet në katër nivele. Niveli i parë ka të bëjë me bashkëpunimin mes komunat tjera, një segment i lënë anash nga të gjitha komunat e Kosovës. Janë disa çështje të cilat kërkojnë trajtim më të gjerë, si psh. probmeli i ujit, ndorjtes së ajrit, mbrojtjes së natyrës, etj. – janë probleme që kërkojnë bashkim forcash për zgjidhje efektive. Vetëm në rast se ekziston një platformë serioze e bashkëpunimit mes komunave të regjionit të Prizrenit, ne mund ta zgjidhim një herë e përgjithmonë problemin me ujin e pijshëm, i cili na ka dërmuar aq shumë viteve të fundit. Dhe këtu hyjnë edhe shumë shembuj tjerë, se si Prizreni, duke i bashkuar forcat me komunat tjera të Kosovës mund të gjejë zgjidhje më të mira dhe më efektive për problemet e përbashkëta të qytetarëve të komunës dhe më gjerë. Niveli i dytë i bashkëpunimit lidhet me komunat tjera të botës (shtetet e rajonit, Evropës dhe botës). Komuna e Prizrenit është e binjakëzuar me dy komuna evropiane, Firencen (Itali) dhe Bingenin (Gjermani). Jam i bindur që shumë pak njerëz e kanë këtë informatë. Kjo për shkak të neglizhencës së skajshme të kësaj dhe qeverive të kaluara lokale për të përfituar nga këto binjakëzime. Asgjë serioze nuk është ndërmarrë në kuptimin e përfitimit nga këto dy marrëveshje, të cilat janë lidhur me qëllim që komuna jonë të përfitojë në shumë aspekte nga këto binjakëzime (edhe financiarisht). Kryetari i ri i komunës së Prizrenit, përveç aktivizimit të këtyre dy marrëveshjeve, përmes ekipit të tij duhet të nënshkruajë marrëveshje të reja binjakëzimi, sidomos me ato komuna që kanë fonde zhvillimore të dedikuara për investime të jashtme në kulturë dhe trashëgimi kulturore, infrastrukturë, sport dhe fusha tjera. Niveli i tretë i bashkëpunimit është ai i thithjes së fondeve ndërkombëtare, duke filluar nga fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për komunat, e deri tek agjensionet zhvillimore (të shteteve të zhvilluara) dhe fondacionet e ndryshme financiare. Dhe së fundit, niveli i katërt lidhet me atraktimin e investimeve të jashtme private, duke krijuar hapësirë veprimi dhe investimeve kompanive të huaja, të gatshme për të investuar dhe ngjallur ekonominë lokale të qytetit.

Një qasje e këtillë ndaj intervenimit të jashtëm, përmes katër niveleve të bashkëpunimit do të krijonte një mjedis të ri zhvillimi dhe mentalitet krejtësisht tjetër të perceptimit të buxhetit komunal. Edhe pse 30 milionë euro është buxhet mjaft i mirë, megjithatë Prizreni, shkaku i specifikave të posedon, ka nevoja shumë më të mëdha. Dhe me një bashkëpunim më të mirë me komunat tjera, binjakëzime me komuna të botës, thithje fondesh ndërkombëtare dhe tërheqje të investimeve të huaja private, komuna e Prizrenit mund ta dyfishojë buxhetin, projektet dhe investimet zhvillimore. Kjo drejtpëdrejtë do të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e sektorëve të rëndësishëm (arsim, kulturë, shëndetësi, mjedis, trashëgimi, etj.), stimulim të mjedisit afarist për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Shkurt, me pak më tepër agazhim, kreativitet dhe identifikim të mundësive jashtë kufijve të komunës, Prizreni mund të qarkullojë kapital shumë më të madh zhvillimor dhe të jetë shembull i një ekonomie lokale që ngjallet duke i kombinuar dhe shfrytëzuar të gjitha mundësitë zhvillimore që ekzistojnë, qoftë në vend, qoftë jashtë tij.

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)