Një eksplorues "zbërthen sekretet" e një hoteli të braktisur Schwarzwald të Gjermanisë
Fotografi dhe eksploruesi kroat Alen Bankoviq ka vizituar hotelin e braktisur Kurhaus Sand në rajonin Schwarzwald të Gjermanisë, duke ndarë përvojën e tij përmes një videoje në YouTube.
Objekti, i vendosur pranë rrugës turistike Schwarzwaldhochstraße, është i mbyllur prej vitesh, por brendësia e tij ka mbetur pothuajse e paprekur.
Hoteli pushoi së funksionuari rregullisht në vitin 1994 dhe u mbyll përfundimisht në vitin 2005.
Brenda tij, Bankoviq gjeti tavolina të shtruara, enë të lëna pas dhe sende personale të mbuluara nga pluhuri, sikur koha të ishte ndalur.
Veçanërisht prekëse ishte dhoma e gjumit e pronarit, me rroba dhe objekte personale ende në atë vend.
Sipas Bankoviq, Kurhaus Sand është më shumë se një rrënojë, pasi ruan gjurmët e jetës së dikurshme dhe shërben si një “kujtim kohe”. /Telegrafi/


