Një aeroplan i NATO-s rrëzon një dron mbi Estoni
Një aeroplan ushtarak i NATO-s rrëzoi një dron të dyshuar ukrainas mbi Estoni të martën, tha vendi baltik, i fundit në një seri shkeljesh të hapësirës ajrore në rajon mes sulmeve të shpeshta ukrainase ndaj Rusisë.
Letonia fqinje lëshoi gjithashtu një alarm për dronët, duke u thënë banorëve pranë kufirit rus të qëndrojnë brenda, me aeroplanë të Policisë Ajrore Baltike të NATO-s të thirrur në zonë, tha ushtria letoneze, transmeton Telegrafi.
Ukraina ka shtuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe përreth Baltikut.
Që nga marsi, disa dronë ushtarakë ukrainasë kanë hyrë në hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, të cilat kufizohen të gjitha me Rusinë.
Qeveria letoneze javën e kaluar dha dorëheqjen për shkak të trajtimit të inkursioneve.
Droni i dyshuar ukrainas u rrëzua të martën nga një aeroplan luftarak F-16 i Forcave Ajrore Rumune, tha Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha javën e kaluar se Ukraina do të dërgonte ekspertë në Letoni për të ndihmuar në mbrojtjen e qiellit të vendit.
Autoritetet finlandeze më 15 maj paralajmëruan për aktivitet të dyshuar të dronëve në rajonin e kryeqytetit të vendit, duke u thënë njerëzve të qëndronin brenda dhe duke pezulluar trafikun në aeroportin e Helsinkit për tre orë.
Forcat mbrojtëse finlandeze kishin ngritur avionë luftarakë dhe shërbime të tjera emergjente, por përfundimisht nuk u gjetën dronë. /Telegrafi/


