Një 46-vjeçar plagoset nga gomonia në plazhin e Gjipesë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në plazhin e Gjipesë në Himarë, ku një pushues 46-vjeçar, banues në Gjermani, ka mbetur i plagosur si pasojë e goditjes nga një gomone.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gomonia drejtohej nga një 27-vjeçar, banues në Orikum, i cili në momentin e incidentit po lundronte jashtë zonës së sigurisë për notuesit. Dyshohet se gjatë kohës kur i plagosuri po bënte zhytje në afërsi të mjetit lundrues, ai është goditur aksidentalisht.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndërhyrë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij drejt spitalit për trajtim të specializuar mjekësor.
Drejtuesi i gomones është shoqëruar në komisariat për të dhënë deklaratën lidhur me rrethanat e ngjarjes, ndërsa janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët që ndodheshin pranë vendit të aksidentit.
Policia njofton se hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje.


