Please enter at least 3 characters.

Nis fushata e korrje-shirjeve në Viti, rreth 3 mijë hektarë të mbjella me grurë

Në Komunën e Vitisë ka nisur zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve për sezonin e sivjetmë, ndërsa institucionet komunale kanë filluar përgatitjet për monitorimin dhe koordinimin e këtij procesi të rëndësishëm për sektorin e bujqësisë.

Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, për mbarëvajtjen e fushatës është formuar Komisioni Komunal për Korrje-Shirje, i cili do të përcjellë nga afër zhvillimin e punimeve në terren, me qëllim që procesi të realizohet pa pengesa dhe në kushte të sigurta.

Nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari kanë bërë të ditur se këtë vit në territorin e Komunës së Vitisë janë mbjellë rreth 3 mijë hektarë me grurë, ndërsa pritshmëritë për rendimente janë vlerësuar si të kënaqshme.

Sipas autoriteteve komunale, kushtet e favorshme gjatë sezonit dhe angazhimi i fermerëve pritet të ndikojnë pozitivisht në rezultatet e korrjes së këtij viti.

Në kuadër të përgatitjeve për fushatën, edhe mullinjtë dhe grumbulluesit e grurit janë mobilizuar për të siguruar pranimin dhe grumbullimin në kohë të prodhimit.

Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari ka apeluar tek qytetarët dhe fermerët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret.

"Qytetarët dhe fermerët duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të mos ndezin zjarre në sipërfaqet me kashtë apo në serra, pasi temperaturat e larta dhe era mund të shkaktojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke rrezikuar të mbjellat, pronën dhe mjedisin", thuhet në njoftimin e komunës.

Institucionet komunale të Vitisë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve, me qëllim që procesi i korrjes së grurit të përfundojë me sukses dhe pa incidente. /Telegrafi/