Nga Trepça njoftojnë se kanë arritur ta rikthejnë në posedim pronë publike mbi 1.35 milion euro
Ndërmarrja Trepça ka shënuar një fitore të plotë ligjore në mbrojtje të pronës publike, pas një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Me Aktgjykimin C.nr.91/2023, gjykata ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të drejtën e pronësisë së Trepça, duke urdhëruar njëkohësisht lirimin e menjëhershëm dhe kthimin e pronës në posedim të ligjshëm të ndërmarrjes.
Sipas njoftimit, prona në fjalë kishte qenë e uzurpuar për më shumë se 20 vjet, periudhë gjatë së cilës ishin ndërmarrë edhe veprime për tjetërsimin e saj, në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
Si rezultat i këtij vendimi gjyqësor, Trepça ka rikthyer në posedim pasuri publike me vlerë mbi 1.35 milion euro.
Nga ndërmarrja vlerësohet se ky aktgjykim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e uzurpimeve të kundërligjshme.
Në njoftim është theksuar gjithashtu se ky sukses pasqyron angazhimin profesional dhe të vazhdueshëm të Zyrës Ligjore të Trepça në mbrojtje të interesave të ndërmarrjes dhe pasurisë publike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


