Please enter at least 3 characters.

Nga Lugina e Preshevës në Prishtinë, kongresistët amerikanë përcjellin mesazhe mbështetjeje për shqiptarët

Vizita e delegacionit bipartizan të Kongresit amerikan në Kosovë dhe Luginën e Preshevës po vlerësohet si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shqiptarët në rajon dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Delegacioni, i përbërë nga kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, po zhvillon vizitë në rajon me kërkesë të organizatës Albanians for America.

Sipas vlerësimeve të bëra gjatë vizitës, kjo paraqet një dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm amerikan për paqen, stabilitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, në një periudhë kur rajoni përballet me sfida të shumta politike dhe të sigurisë.

Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pak para proceseve të reja politike dhe zgjedhore, ndërsa është theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten kyçe për rrugëtimin euroatlantik të vendit.

Pjesë e rëndësishme e agjendës ishte edhe vizita në Luginën e Preshevës, ku kongresistët amerikanë u njohën nga afër me shqetësimet e shqiptarëve atje, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin institucional dhe mungesën e përfaqësimit të barabartë.

Vizita është krahasuar edhe me atë të delegacionit amerikan të udhëhequr nga senatori Bob Dole në vitin 1990 në Kosovë, e cila konsiderohet si një moment historik që ndikoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Në këtë kontekst, është theksuar se shqiptarët në rajon vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetjen dhe angazhimin amerikan, sidomos përballë sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kongresisti Keith Self është përmendur si një nga zërat më aktivë në Kongresin amerikan në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Ai ka kërkuar publikisht mbështetje më të madhe për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe ka propozuar iniciativa që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Po ashtu, Self, së bashku me kongresistët amerikanë Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka mbështetur rezoluta që kërkojnë avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe rritjen e përkrahjes amerikane për sigurinë në Ballkan.

Në deklarimet lidhur me rajonin, është potencuar se Ballkani mbetet një zonë e ndjeshme për stabilitetin evropian, sidomos në kohën kur tensionet globale dhe lufta në Ukrainë kanë rritur shqetësimet për sigurinë në Evropë.

Sipas vlerësimeve të bëra gjatë vizitës, partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së mbetet një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe orientimit strategjik të Kosovës drejt strukturave euroatlantike.