Nga dështimi drejt suksesit: Arsyeja e vërtetë pse Nëna e Uislerit u bë kryevepër ikonike amerikane
“Kompozicion në gri dhe të zezë, Nr. 1” [Arrangement in Grey and Black No. 1] i James Abbott McNeill Whistlerit, e njohur edhe si “Nëna e Uistlerit” [Whistler's Mother, 1871].
(Musée d’Orsay)
Nëna e Uislerit [Whistler's Mother] është një nga veprat më të dallueshme artistike në botë. Si një meme virale, ajo është riprodhuar pafundësisht, duke përfshirë një film vizatimor të Patokut Donald [Donald Duck], një episod të Simpsonëve [The Simpsons] dhe romanin Lolita të Nabokovit. Si dhe pse u bë kaq e famshme?
Nga: Matthew Wilson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëna e Uislerit, fillimisht e titulluar Kompozicion në gri dhe të zezë, Nr. 1: Portreti i nënës së piktorit [Arrangement in Grey and Black: Portrait of the Painter's Mother, 1871], është ekspozuar në galerinë “Tate Britain” për ekspozitën më të fundit: Xhejms Abot Meknil Uisler [James Abbott McNeill Whistler]. Kjo ekspozitë është retrospektiva më e madhe e artistit në tri dekadat e fundit dhe një mundësi e rrallë për ta parë Nënën e Uislerit në qytetin ku u krijua.
Është gjithashtu një mundësi për të reflektuar pse pikërisht kjo pikturë, dhe jo ndonjë nga 150 veprat e tjera të ekspozuara, u bë kaq e famshme.
Saga e Kompozicion në gri dhe të zezë, Nr. 1: Portreti i nënës së piktorit fillon me një raport sëmundjeje dhe një dështim. Një ditë, në fund të tetorit 1871, Whistleri, një artist amerikan 37-vjeçar që jetonte në Londër, mori lajmin se modelja e tij, Maggie, ishte sëmurë dhe nuk mund të vinte për të pozuar. Anna McNeill Whistler, nëna e artistit, pranoi me ngurrim ta zëvendësonte dhe pozoi për djalin e saj të dashur. Më vonë, duke reflektuar mbi rastësinë që çoi në krijimin e pikturës, ajo shkroi: “Zhgënjimet janë mënyra e Zotit për të bekuar.”
Por, shumë zhgënjime do të vinin përpara bekimeve të mëvonshme. Kompozicion në gri dhe të zezë mezi i shpëtoi shkatërrimit nga zjarri në një tren më 1871. Vitin tjetër, pothuajse u refuzua nga ekspozita vjetore e Akademisë Mbretërore, derisa miku i Whistlerit, akademiku Sir William Boxall, doli në mbrojtje të saj dhe kërkoi pranimin e pikturës.
Por, edhe kur u ekspozua në Akademinë Mbretërore më 1872, kritikët dhe publiku i gjerë mbetën pak të impresionuar.
Fillimi jo premtues i pikturës e bën suksesin e saj të mëvonshme edhe më të pamundur - dhe më të jashtëzakonshëm.
Një kritikë e vazhdueshme ndaj veprave të Whistlerit kishte të bënte me titujt e tyre. Publiku viktorian adhuronte rrëfimet, sidomos ato të njohura nga drama, poezia, miti ose historia, si edhe pikturat me tituj që përcaktonin qartë atë që paraqisnin. Për dallim nga kjo, pikturat e Whistlerit mbanin përshkrime të paqarta si “harmoni,” “nokturn” dhe “simfoni.”
Kështu, vepra që ai paraqiti në Akademinë Mbretërore më 1872 u perceptua si emocionalisht e ftohtë, më e interesuar për “rregullimin” e ngjyrave gri dhe të zezë sesa për eksplorimin e jetës së brendshme të nënës së artistit. Por, Whistleri mendonte se ishte përpara publikut të tij. Ai predikonte ungjillin e “artit për hir të artit,” duke besuar se pikturat nuk duhej të fiksoheshin pas rrëfimit, por përkundrazi të shfaqnin gjuhën e tyre abstrakte të ngjyrës dhe formës.
Nga anonimiteti drejt famës
Në atë kohë, kjo ishte një qasje radikale ndaj krijimit artistik. Por, Whistleri e përqafoi identitetin e tij si provokator dhe e ushqeu atë në jetën publike me sjelljen e tij ekstravagante, anekdotat plot ngjyra dhe thumbimet e paharrueshme. Whistleri ishte një nga artistët e parë që e kultivoi veten si figurë mediatike, duke kërkuar polemika dhe duke u vënë shpesh në dispozicion të shtypit me ndonjë batutë të mprehtë ose koment sarkastik, si edhe duke hyrë në përplasje verbale me kritikë si John Ruskin.
Deri diku, fama e mëvonshme e Kompozicion në gri dhe të zezë, Nr. 1: Portreti i nënës së piktorit buronte nga vetë nami i keq i Whistlerit. Megjithatë, gjatë viteve 1870-1880 piktura mbeti kryesisht e panjohur dhe, për një periudhë, Whistleri madje u detyrua t’ua linte kreditorëve si garanci pasi shpalli falimentimin.
Por, një grup artistësh admirues nisën një fushatë të suksesshme lobimi që vepra të blihej nga qeveria franceze. Kështu, më 1891 ajo u bë pronë kombëtare e shtetit francez dhe u ekspozua në “Musée du Luxembourg.”
Për herë të parë, Nëna e Uislerit kishte dalë nga grija dhe e zeza e anonimitetit në dritën e artë të famës.
Blerja e veprës nga francezët ngjalli interes në mediat amerikane dhe ajo nisi të shfaqej në shumë gazeta dhe revista. Njëra prej tyre e shpalli “kryeveprën më të padiskutueshme dhe të pakontestueshme të gjysmës së fundit të shekullit XIX.” Kështu, një ndjenjë krenarie kombëtare ndihmoi në rritjen e famës së pikturës. Por, edhe reklamuesit shfrytëzuan aspektet sentimentale të saj si imazh i amësisë së përkushtuar. Gjatë Luftës së Parë Botërore, posterët për rekrutimin dhe certifikatat e kursimeve të luftës e ripërdorën Nënën e Uislerit për t’ia kujtuar publikut vlerat familjare që ushtarët po luftonin të mbronin.
Një tjetër pikë kthese në famën e pikturës erdhi më 1932, kur Alfred Barr, drejtori i Muzeut të Artit Modern në Nju-Jork [New York's Museum of Modern Art], organizoi huazimin e saj dhe e çoi në një turne dyvjeçare në 18 qytete amerikane, ku u pa nga dy milionë njerëz. Për Barrin, Whistleri ishte një pionier i rëndësishëm në rrugëtimin e pikturës drejt abstraksionit, dhe ai synonte që ky turne ta vendoste artistin si një kontribut amerikan në evolucionin e artit modern.
Por, edhe koha e turneut ishte domethënëse. U zhvillua gjatë viteve të Krizës së Madhe Ekonomike, një periudhë me vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike për shumë familje në ShBA. Me thjeshtësinë e saj të përmbajtur, piktura e Whistlerit kishte të gjitha elementet për t’u bërë ikonë e qëndrueshmërisë dhe forcës së figurës së nënës - një ringjallje e rolit që kishte luajtur gjatë periudhës së fundit të vuajtjeve, Luftës së Parë Botërore. Ndalesa e fundit e turneut amerikan ishte Masaçusetsi, shteti i lindjes së Whistlerit, që përkoi me Ditën e Nënës më 1934.
Po atë vit u emetua edhe një pullë tjetër me një version të Nënës së Uislerit, me mbishkrimin “Në kujtim dhe për nder të nënave të Amerikës,” gjë që i dha edhe më shumë hov statusit të saj si figurë ikonike. Kur Shoqata e Djemve të Eshlendit në Eshlend të Pensilvanisë duhej të zgjidhte një subjekt për një skulpturë të madhe publike me temën e amësisë, më 1937, zgjodhi pikërisht pikturën e Whistlerit.
Çelësi i vërtetë i suksesit të saj
Pasi nisi orteku i famës për Nënën e Uislerit, ai u bë i pamundur për t’u ndalur. Homazhe dhe karikatura të saj nisën të shfaqeshin në forma të panumërta dhe tepër të larmishme. Artistët pamorë huazuan formatin e saj të veçantë për portretet e tyre; karikaturistët talleshin me atmosferën e saj të qetë dhe dinjitoze; romancierët dhe kineastët e përdorën si epitom i shijes konvencionale borgjeze.
Si të gjitha memet e suksesshme, koncepti origjinal është lehtësisht i kuptueshëm. Tema e saj, amësia, është universale, ndërsa kompozicioni dhe ngjyrat e pikturës së Whistlerit janë mjaft të thjeshta për t’u kopjuar. Duke qenë se nuk përmban ndonjë rrëfim të qartë, imazhi ka edhe një cilësi të hapur, që e bën të përshtatshëm për ripërpunime të pafundme, sidomos ato me frymë subversive. Qëndrimi i nënës, plot korrektësi dhe stoicizëm, mund të vihet me sukses përballë çdo forme marrëzie, ndërsa pamja e saj e modës së vjetër mund të bie në kontrast me teknologjinë moderne. Edhe zëvendësimi i saj me një mace ose qen vazhdon të jetë çuditërisht zbavitës. Popullariteti i imazhit nisi me shfaqjen e tij në mediat e shtypura në fillim të shekullit XX dhe u përjetësua më pas në vizatimet e Disney-t, kopertinat e revistave dhe reklamat. Sot, mund të gjenden lehtësisht rikrijime të saj me personazhe krejt të papritura, përfshirë Mapets [Muppets], Breshkat Ninxha [Ninja Turtles] dhe personazhet e Rrugës së Sezamit [Sesame Street].
Ky proces i shndërrimit në meme bie plotësisht ndesh me parimet artistike origjinale të Whistlerit. “Arti duhet të jetë i pavarur nga çdo lloj marrëzie,” shkroi ai dikur, dhe duhet të shmangë “përkushtimin, mëshirën, dashurinë, patriotizmin dhe të ngjashmet.”
Sa ironike është që popullariteti i qëndrueshëm i Nënës së Uislerit u mbështet pikërisht mbi një vizion sentimental të amësisë dhe krenarisë kombëtare amerikane. Një famë e tillë do të kishte qenë e neveritshme për Whistlerin.
Por, fama e një vepre arti shpesh del jashtë kontrollit të krijuesit të saj. Personaliteti bombastik i Whistlerit dhe mjeshtëria e tij artistike hodhën themelet e famës së mëvonshme të Kompozicionit në gri dhe të zezë, Nr. 1: Portreti i nënës së piktorit.
Por, çelësi i vërtetë i suksesit të saj të mëvonshëm ishte koha. Ajo pati një fillim jo premtues dhe iu desh të priste derisa Shtetet e Bashkuara të kishin më së shumti nevojë për një kryevepër kombëtare - dhe për një figurë simbolike amtare. Kur erdhi ai moment, Nëna e Uislerit u shndërrua nga një “kompozicion” në një ikonë. /Telegrafi/


