Please enter at least 3 characters.

Netanyahu paralajmëron: S'ka shtet palestinez, s'ka ushtarë turq dhe s'ka rindërtim të Gazës pa demilitarizim

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të qartë qëndrimin e tij personal lidhur me të ardhmen e Gazës, duke theksuar se çdo përpjekje për rindërtimin e territorit do të jetë e papranueshme pa një proces të mëparshëm demilitarizimi.

Sipas tij, siguria e Izraelit mbetet parësore dhe nuk mund të ketë investime apo projekte rindërtimi për sa kohë që Gaza vazhdon të përbëjë një kërcënim të mundshëm ushtarak.

“Po dëgjoj deklarata se rindërtimi i Gazës mund të fillojë para demilitarizimit. Dua ta bëj të qartë: kjo nuk do të ndodhë”, tha ai në një fjalim të fundit, duke theksuar shqetësimet e Izraelit për sigurinë në rajon.

Ai gjithashtu iu referua mundësisë së pranisë së trupave të huaja në Gaza, duke përmendur konkretisht ushtarët turq dhe Katarit.

“Dëgjoj se disa po sugjerojnë sjelljen e ushtarëve turq dhe kataras në Gaza. Edhe kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai, duke përforcuar qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj ndërhyrjeve të huaja ushtarake.

Netanyahu nuk la pa përmendur edhe çështjen e një Shteti Palestinez në Gaza. “Dëgjoj se do të lejohet krijimi i një Shteti Palestinez në Gaza. Kjo nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë”, tha lideri izraelit, duke nënvizuar refuzimin e Izraelit për një shtet të pavarur në territorin e Gazës pa marrëveshje të plotë për sigurinë.

Ky qëndrim i kryeministrit izraelit vjen në një moment të tensionuar, ku komuniteti ndërkombëtar po shtyn përpara fazën e dytë të armëpushimit në Gaza. /Telegrafi/