Please enter at least 3 characters.

Nesër kufizohen kamionët mbi 20 tonë në autoudhë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Kufizimi do të vlejë vetëm në autoudhë, nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak se temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë pragun prej 32°C.

Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të lejohet pa kufizime.

Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente, si dhe automjetet e institucioneve shëndetësore.

Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që të respektojnë masën e përkohshme dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar.

Masa synon të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta.