Nëse nuk humbni peshë me terapinë GLP-1, kjo nuk do të thotë se nuk ka efekt
Studimet tregojnë se këto barna mund të mbrojnë zemrën, mëlçinë dhe metabolizmin edhe te personat që nuk shohin rënie në peshë
Për shumicën e njerëzve që fillojnë barna GLP-1 për humbje peshe, efekti duket i jashtëzakonshëm: ulet oreksi, lëvizja bëhet më e lehtë dhe kilogramët fillojnë të bien.
Megjithatë, një grup më i vogël nuk përjeton humbje të dukshme të peshës. Studimet klinike tregojnë se rreth 10 deri në 15 për qind e pacientëve nuk reagojnë në këtë mënyrë. Shkencëtarët mendojnë se gjenetika mund të ketë rol të rëndësishëm. Gjithsesi, provat tregojnë se këto barna sjellin përfitime edhe përtej dobësimit.
Përfitime për zemrën dhe mëlçinë edhe pa dobësim
Hulumtimet tregojnë se këto barna mund të ulin rrezikun e infarktit dhe goditjes në tru, si dhe të përmirësojnë insuficiencën kardiake, edhe te personat që nuk humbin peshë.
Rezultatet më të reja tregojnë efekt pozitiv edhe në mëlçi. Bari me përbërës aktiv semaglutid është miratuar në SHBA për trajtimin e MASH, një sëmundje serioze e mëlçisë që prek rreth 6 për qind të të rriturve.
Sipas Daniel Drucker, përmirësimi nuk lidhet vetëm me humbjen e peshës trupore, transmeton Telegrafi.
Nuk janë për pak kilogramë më pak
Barnat GLP-1 nuk janë të destinuara për ata që duan të humbin vetëm disa kilogramë. Ato rekomandohen për persona me BMI 30 e më shumë, ose mbi 27 nëse kanë diabet, tension të lartë apo çrregullime të yndyrnave në gjak.
Te personat me BMI më të ulët, përdorimi për dobësim nuk është standard dhe shpesh nuk jep efektin e pritur.
Si veprojnë edhe kur pesha nuk bie
Studimet tregojnë se semaglutidi mund të veprojë në qeliza të veçanta të mëlçisë, të ndikojë në sistemin imunitar dhe të ulë inflamacionin, proces kyç në shumë sëmundje kronike.
Sipas Daniel Drucker, përfitime të rëndësishme shihen edhe pa rënie në peshë.
Qasje individuale ndaj terapisë
Ekspertët theksojnë se terapia duhet përshtatur për secilin pacient. Në disa raste, doza më të ulëta mund të jenë të mjaftueshme, me më pak efekte anësore dhe kosto më të ulët.
Edhe humbja e peshës mbetet e rëndësishme, por nuk është i vetmi tregues i suksesit të trajtimit. /Telegrafi/


