Nëna e verbër shet katër fëmijë
Në mes të viteve 2005 dhe 2012, Du Xiurong, nga Shibei, një fshat në Mianyang, në jug perëndim të Provincës kineze Sichuan, ka shitur katër fëmijë: tre vajza dhe një djalë.
Në përgjithësi, Du ka sjell në jetë gjashtë fëmijë, por ka mbajtur vetëm dy fëmijët e mëdhenj: një vajzë dhe një djalë.
“Nuk kisha zgjedhje tjetër. Po të mos isha e verbër nuk do ta bëja këtë”, ka thënë ajo.
“Ua kam dhënë foshnjat familjeve që s’mund të kishin fëmijë. Ata dëshironin fëmijë dhe unë i kam ndihmuar”, ka deklaruar Du, duke pretenduar se nuk ka bërë asgjë të gabuar. “Njerëzit e pasur japin para për dasmat e vajzave, njerëzit e klasave të mesme marrin para për martesat e vajzave, ndërsa njerëzit e varfër shesin djemtë dhe vajzat e tyre”.
Du ka thënë se ajo është verbuar në moshën pesëvjeçare në një aksident, ndërsa është martuar kur kishte 14 vjet.
“Prindërit e mi më konsideronin si barrë. Ata dëshironin të liroheshin nga unë sa më shpejt që të ishte e mundur. Andaj në momentin kur dikush dëshiroi të më martonte, ata nuk pritën shumë të më largonin”, ka thënë ajo.
Fëmijën e parë, djalin Cheng Jin, Du e solli në jetë në vitin 1991, ndërsa në vitin 2000 ajo lindi vajzën e parë, Sun Miao
Kur djali dhe vajza filluan të rriteshin, familja u detyrua të gjente para për të siguruar jetesën e tyre prandaj ajo gjeti një zgjidhje, të lindte fëmijë dhe ti shiste.
Në vitin 2005, ajo shiti vajzën e dytë për 2.500 Yuan (268 funte), derisa në shtatë vjetët ardhshme ajo shiti edhe tre foshnje të tjera.
Duke qenë se në Kinë lejohet lindja e vetëm një fëmije, Du ka mbajtur fshehur shtatzënitë e saj nga zyrtarët e fshatit.
“Nëse do të më zbulonin do të më detyronin të abortoja me forcë. Nuk mund të lejoja të bëjnë një gjë të tillë”, thotë ajo.
Në total, Du ka shitur katër fëmijët e saj për një çmim prej 1.070 funtesh. Ajo tashmë është bërë gjyshe dhe po planifikon t’i ofrojë nipit një arsimim të mirë.
“Do t’i mundësoj atij një shkollim të mirë, edhe nëse do të më duhet të shes gjithçka”, ka thënë Du. /Telegrafi/


