Please enter at least 3 characters.

Nëna e Dembeles, Fatimata flet pasi djali i saj fitoi Topin e Artë

Pas suksesit të madh të Ousmane Dembele, i cili ka fituar Topin e Artë, nëna e tij Fatimata, ka ndarë disa kujtime domethënëse nga fëmijëria e sulmuesit të Paris Saint-Germain, duke treguar rrënjët e pasionit të tij për futbollin.

Dembele fitoi Topin e Artë të hënën mbrëma dhe nëna e tij, Fatimata, ishte njëra nga ato që mori vëmendjen, edhe pse kjo nuk është në tiparet e saj.

“Nuk më pëlqen të jem në qendër të vëmendjes. Jam një person diskret. Edhe kur shkoj në stadium për ta parë Ousmanen, mund të jem mes turmës pa e ditur askush që jam nëna e tij”, ka thënë fillimisht Fatimata.

Ajo tregoi gjithashtu pasionin e pashuar të Dembeles për futbollin që në fëmijëri.

“Që i vogël, nuk kishte gjë tjetër në mendje përveç futbollit. Nuk i pëlqente shkolla shumë, ndiqte mësimet e përgjithshme, por ajo që donte me gjithë zemër ishte loja me topin”.

Nëna e kampionit francez kujton me buzëqeshje një detaj nga përditshmëria e tij.

“Edhe kur e dërgoja në supermarket, merrnim karrocën e blerjeve dhe ai gjithmonë kishte me vete topin. Nuk i ndahej kurrë”, përfundoi ajo.

Rrëfimi i Fatimatës hedh dritë mbi përkushtimin dhe pasionin e hershëm që ka udhëhequr Dembelen drejt majave të futbollit botëror.

Ky çmim madhor është jo vetëm një arritje personale për Dembelen, por edhe një dëshmi e përkushtimit dhe dashurisë së tij për futbollin që nga fëmijëria. /Telegrafi/