Please enter at least 3 characters.

Në Teneshdoll u mbajt "Dita e Mjedrës 2026", promovohet zhvillimi dhe potenciali eksportues i sektorit

Në Teneshdoll të Prishtinës është mbajtur "Dita e Mjedrës 2026", një aktivitet i organizuar nga Shoqata "Mjedra e Kosovës", i cili mblodhi fermerë, përfaqësues institucionesh, organizata partnere dhe ekspertë të sektorit për të promovuar zhvillimin e kultivimit të mjedrës dhe potencialin e këtij nënsektori për bujqësinë e Kosovës.

Aktiviteti u hap nga sekretarja e përgjithshme e Shoqatës "Mjedra e Kosovës", Lindita Ibishi, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe partnerëve për zhvillimin e mëtejmë të sektorit.

Me nga një fjalë rasti iu drejtuan të pranishmëve edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës "Mjedra e Kosovës", Kujtim Lepaja, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Këshillimore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Bekim Cikaqi, menaxheri i Projektit EREA në Caritas Switzerland në Kosovë, Veton Rruka, si dhe përfaqësuesja e qendrës grumbulluese "Kemi Fruits", Suela Rrahmani.

Gjatë aktivitetit u theksua progresi i arritur nga sektori i mjedrës në Kosovë, rëndësia e investimeve në teknologji moderne, forcimi i bashkëpunimit përgjatë zinxhirit të vlerës, si dhe potenciali që ky sektor ka për rritjen e eksporteve.

Pjesëmarrësit vizituan plantacionin e mjedrës në Teneshdoll, ku u prezantua kultivimi modern i mjedrës në vazo, një teknologji që synon rritjen e rendimentit, përmirësimin e cilësisë së prodhimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së fermave.

Po ashtu, ata morën pjesë në një vjelje simbolike të mjedrave dhe patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja me fermerë dhe ekspertë të sektorit.

Sipas organizatorëve, "Dita e Mjedrës 2026" riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë, duke promovuar inovacionin, praktikat moderne të kultivimit dhe potencialin e Kosovës për zhvillimin e sektorit të frutave. /Telegrafi/