Please enter at least 3 characters.

Në QNR janë rinumëruar 74% e vendvotimeve, 27 komuna e përmbyllin procesin

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar rreth 74 për qind e vendvotimeve, apo 1,887 nga gjithsej 2,557 vendvotime të përfshira në këtë proces.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi ka nisur të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, dhe po vazhdon pa ndërprerje.

“Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, më 27 janar 2026, ora 10:00, janë rinumëruar rreth 74 për qind apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar Elezi.

Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit tashmë është përmbyllur në 27 komuna, ndërsa në komunat e tjera po vazhdon sipas planifikimit të KQZ-së.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen pas përfundimit për secilin vendvotim dhe janë të qasshme për qytetarët në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin QNR > Rinumërim.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/