Please enter at least 3 characters.

Në prag të Kurban Bajramit, kapen 27 dele dhe 4 qengja të kontrabanduara nga Serbia

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra sot në fshatin Dumnicë, gjatë angazhimeve për ruajtjen e kufirit shtetëror dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje, njësitë policore kanë ndalur dy automjete me targa vendore, në të cilat janë gjetur të ngarkuara 27 dele dhe 4 qengja pa matrikula në vesh.

“Dyshohet se kafshët janë kontrabanduar nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin, është arrestuar një person i dyshuar, mashkull kosovar, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit kompetent. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “kontrabandim me mallra”.

Policia ka bërë të ditur se automjetet dhe kafshët e konfiskuara janë dërguar në terminal doganor për procedura të mëtejme hetimore dhe ligjore. /Telegrafi/