Në Kravaricë të Gjilanit prezantohet projekti për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga ngricat pranverore
Në fshatin Kravaricë të Gjilanit është mbajtur një ditë fushore, ku është prezantuar projekti “Zgjidhje praktike kundër ngricave pranverore në bujqësi”, me qëllim mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga temperaturat e ulëta.
Gjatë aktivitetit, fermerët patën mundësinë të shohin nga afër demonstrimin e përdorimit të qirinjve antifrost me parafinë, të cilët shërbejnë për rritjen e temperaturës në pemishte gjatë netëve kritike.
“Gjatë aktivitetit u prezantua dhe u demonstrua në praktikë përdorimi i qirinjve antifrost me parafinë, të cilët ndihmojnë në rritjen e temperaturës në pemishte dhe mbrojtjen e luleve dhe frutave gjatë netëve kritike”, u bë e ditur gjatë prezantimit.
Sipas të dhënave të paraqitura, për mbrojtjen e një sipërfaqeje prej 10 ari nevojiten rreth 40 qirinj me kosto rreth 200 euro, ndërsa për një hektar kërkohen rreth 400 qirinj me kosto rreth 2000 euro.
“Një qiri zgjat rreth 8 deri në 12 orë dhe, varësisht nga vendosja, mund të rrisë temperaturën deri në 2 gradë Celsius”, u theksua në aktivitet.
Po ashtu, u bë e ditur se qirinjtë mund të rimbushen dhe të ripërdoren, duke ulur kostot për sezonet e ardhshme deri në 50 për qind.
Aktiviteti është zhvilluar në fermën e fermerit Agim Isufi, i cili kultivon rreth 57 hektarë me kultura të ndryshme, përfshirë 14 hektarë me mollë.
Në kuadër të projektit është prezantuar edhe një aplikacion në zhvillim, i cili synon t’u ofrojë fermerëve parashikime më të sakta të motit për lokacionet specifike, duke ndihmuar në reagim më të shpejtë ndaj ngricave.
“Zgjidhje të tilla praktike janë thelbësore për qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor dhe u japin fermerëve mundësinë të menaxhojnë rrezikun në mënyrë proaktive”, u theksua gjatë prezantimit.
Ky projekt synon të ofrojë zgjidhje të zbatueshme dhe të përballueshme për fermerët, në kushtet e rritjes së rrezikut nga ndryshimet klimatike në sektorin bujqësor. /Telegrafi/


