Please enter at least 3 characters.

Në gusht u shënuan 256 aksidente në rajonin e Ferizajt, një person humbi jetën

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit gusht 2026, në rajonin e Ferizajt, ku përfshihen komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë raportuar gjithsej 256 aksidente trafiku.

Sipas të dhënave të policisë, një prej këtyre aksidenteve ka qenë fatal, ku ka humbur jetën një person. Ndërkohë, 110 aksidente kanë përfunduar me lëndime, ku janë lënduar 158 persona, ndërsa 145 aksidente kanë shkaktuar dëme materiale.

Në krahasim me gushtin e vitit 2025, kur ishin regjistruar gjithsej 302 aksidente, këtë vit është shënuar një rënie prej 15.2 për qind e numrit të përgjithshëm të aksidenteve.

Në gushtin e vitit të kaluar ishin raportuar 110 aksidente me lëndime, me 149 persona të lënduar, si dhe 192 aksidente me dëme materiale.

Ndërkaq, sa i përket masave ndëshkuese, Policia Rajonale e Ferizajt gjatë gushtit të këtij viti ka shqiptuar 8,238 gjoba për kundërvajtje në komunikacion.

Në gushtin e vitit 2025 ishin shqiptuar 8,020 gjoba, duke shënuar kështu një rritje prej 2.7 për qind këtë vit.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me angazhime dhe aktivitete të shtuara me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.

Në fund, policia ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, të respektojnë shenjat dhe rregullat e trafikut, si dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës. /Telegrafi/