Please enter at least 3 characters.

Në Gjermani, 50 për qind më pak kërkesa për azil sesa vitin e kaluar

Nga 1 janari deri më 31 korrik të këtij viti, Gjermania ka pranuar 70,011 kërkesa për azil, që është 50 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 140,173 kërkesa, raportojnë mediat gjermane duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt (nga Unioni Kristiano-Social, CSU), tha se ulja e numrit të kërkesave për azil është rezultat i refuzimit të vazhdueshëm të hyrjes në kufi për personat pa dokumentacion të rregullt për hyrje në Gjermani.

Këto masa u vendosën nga qeveria kristiano-socialdemokrate nën drejtimin e kancelarit, Friedrich Merz, menjëherë pas ardhjes në pushtet në fillim të majit, raporton zeit.de.

Dobrindt paralajmëroi gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje në nivelin e Bashkimit Evropian për të reduktuar më tej hyrjet e parregullta në BE.

“Ne synojmë që kërkesat për azil të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së, përmes procedurave më të shpejta dhe me zbatim të rreptë të deportimeve”, tha ai për gazetën Bild am Sonntag.

Sipas policisë kufitare, që nga hyrja në fuqi e masës për refuzimin e hyrjes për personat pa vizë, janë kthyer gjithsej 9,506 persona nga kufijtë në vendet fqinje - Austri, Poloni, Francë, Belgjikë dhe Holandë.

Polonia protestoi ndaj këtij vendimi të qeverisë gjermane dhe në fillim të korrikut vendosi kontrolle të përkohshme kufitare për hyrjet nga Gjermania. Këto kontrolle janë zgjatur deri në fillim të tetorit. /Telegrafi/