Please enter at least 3 characters.

Në 24 orët e fundit shënohen gjashtë raste të armëmbajtjes pa leje në disa komuna, arrestohen katër persona

2021/09/Arrestimet-e-Policise-ilustrim-foto-Ridvan-Slivova-3-1.jpg

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës raportohet për gjashtë raste të armëmbajtjes pa leje në disa komuna.

Sipas njoftimit, një rast ka ndodhur në rajonin e Prishtinës, përkatësisht në Fushë Kosovë, dy në rajonin e Gjilanit, përkatësisht në Kamenicë, dy në rajonin e Pejës; një në Pejë e një në Deçan dhe një në rajonin e Gjakovës, në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Në dy rastet e ndara, në Pejë dhe Deçan janë arrestuar gjithsej tre persona.

“Pejë 10.04.2025-03:17. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas viktimës, njëri nga të dyshuarit kishte një pistoletë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

“Deçan 10.04.2025-13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe janë sekuestruar 18 fishekë të kalibrit 7.62mm. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Gjithashtu, një person është arrestuar në rajonin e Gjakovës.

“Fsh. Krushë e madhe, Rahovec 10.04.2025-20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me pesë fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Edhe në Fushë Kosovë një person është shoqëruar në stacionin policor pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër fishekë.

“Fushë Kosovë  10.04.2025-13:45. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër fishekë. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Në dy raste të ndara dy persona janë shoqëruar në stacionin policor pasi iu janë gjetur dhe sekuestruar armë pa leje.

“Kamenicë 10.04.2025-00:01. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Kamenicë 10.04.2025-09:15. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, një pistoletë, 179 fishekë, një kuti me diabolla, dy karikatorë, një këllëf i pistoletës, dy doreza të pistoletës dhe dy leje të armëve me afat të skaduar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”. /Telegrafi/