Please enter at least 3 characters.

Ndryshimet klimatike dhe strukturore po godasin Drinin e Bardhë, kërkohet mbrojtje më e madhe e pellgut - 44% e popullsisë shërbehet nga lumi

Drini i Bardhë
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Thatësira po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha mjedisore në Kosovë, ndërsa pasojat e ndryshimeve klimatike po ndihen gjithnjë e më shumë edhe në Pellgun e Lumit Drini i Bardhë.

Rënia e reshjeve, temperaturat e larta dhe periudhat e gjata pa shi po ushtrojnë presion mbi burimet ujore, bujqësinë dhe ekosistemet.

Pikërisht për këto sfida, në Vërmicë të Prizrenit u mbajt konferenca "Dita e Drinit", ku përfaqësues të organizatës Rilindja Gjelbër, institucioneve, komunitetit akademik dhe ekspertë të fushës diskutuan për ndikimin e thatësirës dhe masat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Rilindja Gjelbër”, Urim Xharavina, tha për Telegrafin se përballja me sfidat që lidhen me burimet ujore kërkon bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe ndërsektorial.

“Si organizatë e shohim shumë të rëndësishme bashkëpunimin ndërmjet sektorëve të ndryshëm për shembull sektori publik, ku përfshihen edhe institucionet qendrore, institucionet lokale, në këtë rast komuna, institucionet rajonale, siç janë kompanitë rajonale të menaxhimit të ujërave, shoqëria civile, bizneset dhe qytetarët”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e koordinimit ndërmjet akterëve vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore.

“Po na mungon një bashkëpunim edhe bashkëveprim që së bashku të shkojmë më tutje dhe t'i mbrojmë natyrën, burimet natyrore dhe burimet ujore”, shtoi ai.

Xharavina theksoi se Pellgu i Drinit të Bardhë ka rëndësi jetike për Kosovën, ndërsa ngriti shqetësimin për dëmtimin e shtretërve të lumenjve dhe pengesat që kufizojnë rrjedhën natyrore të ujit.

“Pellgu i Drinit të Bardhë është pellgu kryesor i Kosovës, ku rreth 44 për qind e qytetarëve jetojnë në zonën e pellgut të Drinit të Bardhë dhe një numër i madh i lumenjve, degëve të Drinit të Bardhë janë të dëmtuara, shtretërit e tyre për shkak të betonizimit të papërgjegjshëm, ndoshta edhe ilegal të bizneseve apo individëve që kanë ndërtua, u përmend gjithashtu që janë diku mbi 55 barriera, pengesa për rrjedhje të lirë të ujit, të cilat një numër i madh i tyre ekzistojnë, po nuk shërbejnë ndonjë qëllimi”, potencoi drejtori i Rilindja Gjelbër.

Ai shtoi se këto pengesa duhet të hiqen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kështu që ato duhet të largohen, eliminohen natyrisht, duke i respektuar të gjitha dispozitat ligjore”, përfundoi Xharavina.

Për Telegrafin u deklarua edhe përfaqësuesja e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore (ARPL), Fatlije Buza, e cila tha se përgjegjësia për mbrojtjen e burimeve ujore nuk u takon vetëm institucioneve.

“Nuk dua të largohem prej përgjegjësisë institucionale, por në kuadër të planit të menaxhimit të pellgjeve, përgjegjësitë janë të gjithëve. Vetë plani i menaxhimit të pellgjeve e parasheh pjesëmarrjen publike edhe domethënë të gjitha palët me interes ku në planin e Drinit konkretisht janë të përfshirë edhe palët me interes, janë përfshirë të gjitha komunat, janë bërë takime në të gjitha komunat dhe janë marrë domethënë të gjitha kërkesat e atyre dhe shqetësimet e qytetarëve edhe të shoqërisë civile në lidhje me pellgun e lumit Drini i Bardhë”, tha ajo.

Eksperti i ujërave, Afrim Lajçi, tha se përballja me pasojat e ndryshimeve klimatike kërkon investime më të mëdha në kapacitetet institucionale dhe në sistemin e monitorimit të ujërave.

“Mesazhi jem pas konferencës është që duhet të investohet më shumë nga politika në kuptimin e ngritjes së kapaciteteve institucionale edhe zbatuese të planeve, paralelisht me përmirësimin e cilësisë së planeve, paralelisht me konsolidimin e sistemit të monitorimit të ujërave si dhe rritjen e kapaciteteve të resurseve ujore, duke i pasë parasysh ndryshimet klimatike dhe problemet që i shoqërojnë ndryshimet klimatike në kuptim të ujërave”, tha ai.

Organizatorët e konferencës theksuan se mbrojtja e Pellgut të Drinit të Bardhë duhet të jetë prioritet, duke pasur parasysh se rreth 44 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në këtë pellg dhe varet nga burimet e tij ujore.

Ata vlerësuan se, veçanërisht gjatë muajve të verës kur thatësira është më e theksuar, nevojiten masa konkrete për mbrojtjen e lumenjve, përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe qytetarëve. /Telegrafi/

true