Please enter at least 3 characters.

Ndërprerje e përkohshme e qarkullimit në rrugën transite në Gjakovë për shkak të punimeve

Komuna e Gjakovës ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor në një segment të rrugës transite, për shkak të zhvillimit të punimeve infrastrukturore.

Sipas njoftimit, punimet përfshijnë gërmimin e kanalit dhe vendosjen e gypave të kanalizimit atmosferik, ndërsa si pasojë do të bllokohet plotësisht korsia e djathtë në drejtim të Prizrenit.

“Do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor, e cila do të përfshijë tërësisht korsinë e djathtë në drejtim të Prizrenit, në segmentin nga rreth-rrotullimi i rrugëve ‘Adem Jashari’ dhe ‘UÇK’, deri te rreth-rrotullimi në rrugën ‘Bujar Roka’”, thuhet në njoftim.

Nga komuna bëhet e ditur se ndërprerja do të nisë më 30 mars 2026 dhe do të zgjasë deri në përfundimin e punimeve.

“Qarkullimi do të ndalohet plotësisht në këtë pjesë të rrugës, sipas planit dhe skicës së paraparë”, theksohet më tej.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe kanë rekomanduar shfrytëzimin e rrugëve alternative gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/