Please enter at least 3 characters.

Ndahet nga jeta ylli i “The Sopranos”, Vincent Pastore, në moshën 80-vjeçare

Aktori amerikan, Vincent Pastore, i njohur për interpretimin e personazhit ikonik Salvatore “Big Pussy” Bonpensiero në serialin kult The Sopranos, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Sipas medieve amerikane, për Pastore nuk kishte pasur asnjë lajm për tre ditë, derisa një fqinj e gjeti të pajetë në apartamentin e tij në Bronx.

Fillimisht autoritetet nisën një hetim për vdekjen, ndërsa më vonë burime pranë TMZ thanë se aktori kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrore, shkruan DailyMail.

Pastore u bë një nga fytyrat më të dashura të The Sopranos falë rolit të gangsterit “Big Pussy”, personazh që më vonë zbulohet si informator i FBI-së.

Përveç këtij seriali, ai luajti edhe në filma të njohur si Goodfellas, Carlito's Way dhe Gotti, ndërsa pati role episodike në seriale si Law & Order dhe mori pjesë në formate televizive si Celebrity Apprentice dhe Dancing with the Stars.

I lindur në Bronx në vitin 1946 dhe me origjinë italiane, Pastore shërbeu fillimisht në Marinën Amerikane gjatë Luftës së Vietnamit.

Më pas drejtoi disa bare dhe klube nate, përpara se të ndiqte pasionin e tij për aktrimin. Në vitet e fundit ai drejtonte një kompani teatrore, ku bashkëpunonte shpesh me ish-kolegët e The Sopranos.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka pikëlluar fansat e serialit legjendar, të cilët e kujtojnë Vincent Pastore si një nga figurat më të spikatura të historisë së televizionit amerikan. /Telegrafi/