Please enter at least 3 characters.

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Ramadan Zymeraj

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidit të luftës, Ramadan Zymeraj nga Guri i Kuq.

Përmes një postimi, kryetari vlerësoi lart kontributin e Zymerajt në luftën për lirinë e Kosovës, duke kujtuar angazhimin e tij në radhët e UÇK-së dhe sakrificën që ai bëri gjatë periudhës së luftës.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të UÇK-së dhe invalidit të luftës, Ramadan Shaban Zymeraj nga Guri i Kuq”, ka shkruar ai.

Në postim, kryetari ka kujtuar se Ramadani ishte pjesë e bartjes së armatimit nga Shqipëria për nevojat e UÇK-së, ndërsa në shtator të vitit 1998 u arrestua bashkë me djalin e tij, Blerimin. Ai po ashtu përjetoi masakrën e burgut të Dubravës, ku u plagos rëndë në të dyja këmbët dhe mbeti invalid i luftës.

Kryetari e ka cilësuar të ndjerin si luftëtar të lirisë, njeri të ndershëm dhe prind shembullor, i cili me sakrificë rriti 8 djem dhe 3 vajza./Telegrafi/