Ndahet nga jeta Dr. Fadil Kurmehaj, ish-udhëheqës shumëvjeçar i Infektives në Pejë
Ka ndërruar jetë Dr. Fadil Sylë Kurmehaj, mjek dhe ish-udhëheqës shumëvjeçar i Repartit të Infektives në Spitalin Rajonal të Pejës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja, ndërsa kolegë dhe bashkëpunëtorë kanë shprehur ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta.
Dr. Kurmehaj është përshkruar si profesionist i përkushtuar, koleg human dhe personalitet me kulturë të gjerë. Gjatë karrierës së tij, ai u shqua për punën profesionale dhe përkushtimin ndaj pacientëve.
Përveç angazhimit në fushën e mjekësisë, Dr. Kurmehaj ishte aktiv edhe në jetën publike e politike. Ai shërbeu për disa mandate si asambleist në Kuvendin Komunal të Pejës, ku, sipas bashkëpunëtorëve, u dallua për korrektësi dhe angazhim në shërbim të qytetarëve.
Në reagimet për ndarjen e tij nga jeta, ai është cilësuar edhe si atdhetar i përkushtuar, ndërsa është vlerësuar për kontributin e tij në jetën profesionale dhe publike.
Dr. Fadili do t’i mungojë familjes, kolegëve, pacientëve dhe gjithë atyre që e njohën.
Familjarët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij, duke thënë se janë krenarë që patën privilegjin ta kishin baba dhe se kujtimi, dashuria dhe vlerat që ai la pas do të jetojnë përgjithmonë.


