Naim Murseli: S’kam pagu, s’kam porositë dhe s’e kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time
I akuzuari Naim Murseli duke dhënë mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se nuk e ka paguar as porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Tha se nuk e ka ndihmuar të akuzuarin Granit Plava ta kryejë këtë vrasje.
Duke vazhduar deklarimin rreth natës kritike të 29 nëntorit 2023 kur u vra Liridona Ademaj, i akuzuari Naim Murseli tha se rrugës nga restoranti për në shtëpi, ishte ndalë në pompë të derivateve. Tha se ishin me veturën e tani të ndjerës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas tij, më pastaj, gjatë rrugës, tani e ndjera i kishte thënë të ndalen për të blerë vezë, e të cilat ishte ndalë dhe i kishte blerë në një dyqan, duke shtuar se pronari i dha çokollata për fëmijët. Më pastaj, rrugës kur ishin në Bërrnicë, para se të mbërrinin në shtëpi, ai thotë se papritmas nga ana e majt u doli një person i maskuar në mes të rrugës, duke ua drejtuar armën.
“Unë isha vozitës, Liridona parasgjere, fëmijët mbrapa. Edhe Liridona thotë “o kuku hajni”, dhe unë e ngadalësoj, i çoj duart, krejt kohën personi i maskuar afrohej te dritarja ku ishte Liridona. Liridona e hap dritarën në gjysmë a s’e di sa, edhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë s’kam mbajt kurrë. Paratë që i kisha dhe telefonin ia dha. Ai e zgjatë dorën edhe i merr. Telefonin jo unë, Liridona ia jep të vetin, edhe paratë sa i kishte- disa qindra euro, jo më shumë”, deklaroi Murseli.
Sipas tij, ai mendoi që grabitja po bëhej për veturë, andaj për këtë arsye edhe ka dalë prej veturës. Ai deklaroi se kur doli nga vetura, ai person ia kërkoi telefonin, të cilin edhe ia dha.
“Kam hapë derën e fëmijëve. Fëmijët kanë nga, edhe unë pas tyre. Kam mendu se kur largohem unë, ai ia liron rrugën Liridonës, e merr kerrin. Pas disa sekondash kam dëgju krismën. Mu m’u ka duk si dy krisma. Në atë moment kam mendu po shtie në drejtim tonë dhe s’kam guxu me u kthy mbrapa. Kam vazhdu me nga me fëmijë. Pas disa sekondash e kthej kokën, e shoh që Liridona nuk është askund. Vjen vetura e zezë, ajo në pamje dhe në atë moment, ajo veturë vjen në drejtim tonin shumë afër me na goditë. Vetëm i kam kap fëmijët dhe ka vazhdu drejt me shpejtësi të madhe. I njëjti ka qenë me maskë”, tha Murseli.
Ai shtoi se në aktakuzë ngarkohet se e kishte mbajtë me dorë tani të ndjerën në momentin e fundit të jetës.
“Ju betohem në dy fëmijët që i kam se Naim Murseli as në makinë s’ka qenë kur është vra Liridona. Kjo është ideja e rikonstruimit të vendit të ngjarjes. Unë vrapoj te dyert e shtëpive, trokas, por nuk e hap askush në ato tri shtëpi. Doli një grua në dritare në shtëpinë e fundit dhe i them lajmëro policinë. Më tha nuk di- ishte e moshuar. Për këtë arsye kam vazhdu te marketi”, vazhdoi deklarimin Murseli.
Ai më pastaj thotë se vazhdoi te dyqani ku edhe e priti policinë, e bashkë me ta shkoi në vendin e ngjarjes. Tha se nuk e kishin lejuar policët të dilte nga vetura.
Atë natë, ai thotë se e kishte marrë Valon Lluka dhe kanë shkuar në hotel, duke shtuar se ishte i shokuar. Murseli thotë se pasi doli nga stacioni i policisë, fëmijët e i kishin marrë familja e Liridonës.
Naim Murseli thotë se arsyeja pse shkoi atë natë në hotel ishte se policia i kanë thënë të mos largohej nga Prishtina sepse do e thërrasin të nesërmen prapë. Po ashtu, i akuzuari thotë se bashkë me të qëndroi edhe Kushtrim Kokalla.
Ai thotë se shtëpinë në Bërnicë e kanë blerë me kredi bashkë me tani të ndjerën, kredi e cila ka qenë me hipotekë, ku janë dhënë 60 mijë euro- apo 20% e shumës totale, pjesa tjetër me kredi.
I akuzuari thotë se ditën e varrimit ka qenë në Prokurori, ku është marrë në pyetje përsëri edhe ai edhe fëmijët. Tha se ua morën pasaportat atij dhe fëmijëve, e pasi përfundoi intervistimin, pasaportat ua kthyen dhe prokurorja i tha se është i lirë të shkojë në varrim.
“Nuk kam pagu, nuk kam porositë dhe nuk kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time, dhe siç thash, betohem në dy fëmijët e mi se Naim Murseli nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes. Kam qenë së paku 20-30 metra larg dhe shyqyr Zotit as fëmijët nuk e kanë pa ngjarjen. Çdo gjë tjetër është shpifje”, tha i akuzuari.
Tani, ai thotë se fëmijët janë strehuar tek një familje dhe se nga paraburgimi ka vetëm dy orë në muaj për të komunikuar me ta.
“E kemi ditën e martë në kohën kur flasim, atë kohë ata janë në shkollë dhe s’kam si flasë. Po kam fol disa herë. Kam qenë i përkushtuar ndaj fëmijëve, si unë si Liridona. E di edhe Leonardi”, tha Murseli.
Lidhur me raportin me të akuzuarin Kokalla, ai tha se ishte i vetmi me të cilin kalonte kohë kur ishin në Kosovë dhe se kishte raporte të mira me të gjithë. Ai përmendi se ishte operuar për një problem shëndetësor.
Më pas, gjykatësja Fatime Dermaku tha se meqenëse seanca ka qenë e planifikuar vetëm për sesionin e paradites dhe se prokurores i duhen dy orë për ta marrë në pyetje të akuzuarin, kjo seancë ndërpriet dhe vazhdon më 11 shkurt 2026.
Murseli: Granitin s’e kam parë në restorant, s’kisha qëllim ta blija armën nga e cila do vritej gruaja ime- kurrë s’e kam menduar vrasjen e saj
(Përditësuar, ora 11:06)- Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Naim Murseli ka dhënë versionin e tij për ditën kritike kur u vra bashkëshortja e tij Liridona Ademaj. Ai tha se në restorantit kur kanë shkaur për të darkuar nuk e ka parë Granit Plavën në asnjë moment, ndërsa lidhur me armën- tha se asnjëherë nuk e kishte qëllim të blente armën me të cilën do të vritej gruaja e tij dhe se vrasjen nuk e ka menduar asnjëherë.
I pyetur lidhur me revolen e blerë nga Tom Dodaj, i akuzuari Naim Murseli tha se ajo revole është blerë në mënyrë spontane, duke thënë se e dinte që Granit Plava e kishte gjendjen e rëndë ekonomike dhe kur Dodaj ua ofroi për shitje armën, Plava ishte i interesuar, e që e bleu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Murselit, të akuzuarin Dodaj nuk e njihte, duke shtuar se armët nuk i ka dashur kurrë. Tha se edhe vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj, Leonardi, e di që nuk i ka dashur armët.
Lidhur me video-incizimet ku shihet edhe i akuzuari Plava me veturë, Murseli tha se kur kishte shkuar në restorant me Liridonën dhe fëmijët, nuk e ka parë Plavën. Tha se edhe një javë më parë kishte qenë aty për darkë me Liridonën dhe prindërit e saj, dhe fëmijët.
“Por, më 29 nëntor, unë nuk e kam pa Granitin as në restorant, as jashtë, as makinën, në asnjë moment. Ju betohem. Ajo video s’ka asgjë lidhje me ndonjë shenjë apo diçka komplet absurde”, tha ai.
Në atë darkë, i akuzuari Murseli tha se qëndruan rreth 30-45 minuta dhe nga aty ai i kishte thënë Liridonës të shkojnë në Prishtina Mall, por që ajo i ka thënë se është lodhur dhe janë nisë për në shtëpi.
“Liridona tri ditë ishte te familja e saj në Rracaj dhe kur unë isha në Gjakovë, Liridona më thirri papritë dhe më thotë kam ardhë në Prishtinë. Edhe menjëherë kur më tha unë jam kthy, i kam thanë Granitit, edhe ai më tha se edhe ai ka me shku në Prishtinë. Para blerjes së armës, harrova me thanë, ajo ka ndodh spontanisht, aryseja pse shkuam aty ishte sepse goma e veturës ishte shpërthyer dhe rastësisht e kemi gjet atë servis, ashtu ndodhi blerja- krejt spontnaisht”, tha Murseli.
Sipas tij, ai nuk kishte qëllim ta blente armën.
“S’kam pas qëllim m’u ble ajo armë nga e cila armë do të vritej gruaja ime. Asnjëherë, kurrë vrasjen e gruas time nuk e kam mendu. Familja Ademaj më njeh shumë mirë, se edhe tezja ime është e martuar aty, edhe e dijnë mirë se s’kam qenë problematik, kriminel, drogirash. Unë as cigare nuk pi dhe nëse kjo nuk është e vërtetë, le të fol Leonardi. Unë as shoqërinë nuk e kam pas të tillë, asnjëherë”, tha Murseli.
“Larg qoftë”- u përgjigj Naim Murseli kur u pyet se a ka pasur marrëveshje me dy të akuzuarit Plava dhe Kokalla për vrasjen e gruas së tij.
“Larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë”, Naim Murseli flet për raportin që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj
(Përditësuar, ora 10:39)- I akuzuari Naim Murseli në fillim të mbrojtjes së tij para trupit gjykues, foli për raportet që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj, ku tha se raportet e tyre ishin të mira dhe se nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë ndaj saj.
Fillimisht, Museli tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori. Ndërkaq, më pas tregoi për raportet që, sipas tij, i kishte me bashkëshorten e tij- tani të ndjerën Liridona Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë me Liridonën jam fejuar në vitin 2010, më 21 prill dhe jemi martuar më 11 dhjetor 2011. Që i bie, i kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat kemi dy fëmijë. Marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, e lumtur, Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme”, tha Murseli.
Ai tha se kanë jetuar në Suedi, derisa tani e ndjera pas tri vitesh qëndrimi atje, është bërë shtetase suedeze. Tha se asnjëherë s’kanë pasur ndonjë ndarje dhe se gjithçka ishte në rregull mes tyre.
Murseli tha se edhe vëllai i tani të ndjerës, Leonard Ademaj, ka treguar se Liridona nuk është ankuar asnjëherë për ndonjë gjë në lidhjen mes tyre.
“Asnjëherë në jetën time, larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistu në lidhjen tonë”, tha Murseli.
I akuzuari tha se të ardhura financiare kishin mjaftueshëm, ngase kishin një restaurant dhe një kompani pastrimi bashkë me bashkëshorten. Sipas tij, të hyrat vjetore të tij ishin diku 45 mijë euro, ndërkaq të Liridonës afër 20 mijë.
Murseli tha se është marrë edhe me investime online, shërbime të marketingut online për biznese.
I pyetur lidhur me polisën e sigurimit, ai tha se secili shtetas i Suedisë e ka sigurimin shtëpiak dhe jetësor, e në këtë rast e kishin edhe ai e Liridona, në të njëjtën shumë.
“Ajo shumë 3 milionë kruna, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës. Ajo mund të rritet deri në 600 mijë euro, nëse pala ka interes”, tha Murseli.
Ai theksoi se nuk mund të hapë polisë për dikë tjetër, pa qenë personi prezent, ngase është individuale.
Lidhur me raportin me tani të ndjerën, ai tha se sikurse secili çift, kanë pasur ndonjëherë grindje por jo deri në ftohje maksimale të marrëdhënies.
Murseli tha se krahas bizneseve në Suedi, ka pasur biznes edhe në Kosovë, ku është aksionar në një të tillë. Tha se bashkë me tani të ndjerën kanë blerë shtëpi më 2023 në Kosovë.
Atëkohë, sipas Murselit, kishte ardhë në Kosovë deri nga qershori deri në nëntor është marrë vazhdimisht me atë shtëpi, që të pëgatitet për banim.
Lidhur me të akuzuarin Granit Plava, Murseli tha se ka qenë hera e parë që është takuar me të pa Kushtrim Kokallën (djalin e dajës), ndërkaq dy herë të tjera e ka takuar me të. Ai shtoi se nuk kishte miqësi me Plavën, por vetëm e njeh përmes Kokallës, duke shtuar se bisedat kanë qenë vetëm për shëtitje.
Refuzohen propozimet e mbrojtjes, Naim Murseli nis dhënien e mbrojtjes
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj më 30 dhjetor 2025 ka parashtruar kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla.
Ndërsa, më 22 janar 2026, sipas gjyqtares, mbrojtësi i Granit Plavës, avokati Skender Gojani, ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë për gjendjen psikike të Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
Lidhur me propozimin e avokatëve Dodaj dhe Gojani, prokurorja Javorka Perlinçeviq përmes parashtresës ka deklaruar se këto propozime ia lë gjykatës të vendosë.
Kurse, për propozimet e mbrojtjes së Murselit, prokurorja theksoi se ka parë se kanë propozimet për prova shtesë më 27 janar 2026. Tha se më 22 dhjetor 2025, Gjykata të gjitha palëve ua ka dhënë mundësinë që propozimet për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më 9 janar 2026.
Prokurorja tha se konsideron që ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe se nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës, andaj duhet refuzuar.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leonard Ademaj, avokati Leotrim Syla kundërshtoi rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me arsyetimin se është zvarritje e procedurës.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, refuzoi propozimin e mbrojtjes për plotësim të provave. Pra, u refuzua propozimi i avokatit Dodaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nuk është relevante dhe nuk kontribuon në ndriçimin e çështjes. Gjithashtu, u refuzua propozimi i avokatit Gojani, me arsyetimin se është propozim i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.
Ndërkaq, propozimin e mbrojtjes së Murselit e refuzoi për arsye se vlerësoi se janë elaboruar provat mjaftueshëm, andaj bazuar në parimin e efikasitetit, këto propozime u refuzuan për të vazhduar me dëgjimin e Murselit.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. Detajet nga aktakuza i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi/


