Please enter at least 3 characters.

Nacionalizmi primitiv dhe modernizmi absurd

Po e nis me një shembull në dukje banal, por, mjaft përshkrues, që reflekton në mënyrë të qartë procesin nëpër të cilin ka kaluar Kosova nëpër këto 11 vjet tranzicioni të pasluftës. Shembulli: Nëse marrim një bretkosë dhe, e hedhim në ujë të vluar, bretkosa menjëherë do të reagojë duke kërcyer dhe duke dalë nga uji. Por, nëse e hedhim në një kazan me ujë që ka një temperaturë mesatare, e cila shkakton ndjesi të këndshme dhe, në mënyrë graduale e rrisim temperaturën e ujit bretkosa, do ta ndien veten çdo herë e më të pafuqishme për të dalë nga uji dhe kështu do të zihet e gjallë. Nëse ndërtojmë një analogji, vërejmë që edhe në Kosovë ka ndodhë e njëjta gjë. Nëse në vitin 2000, bashkësia ndërkombëtare do të dilte me një platform si ”Pakoja e Ahtisaarit”, do të provokonte një reagim te populli i Kosovës dhe sigurisht do të kishte një zgjim qytetar.

Në Kosovën e paraluftës po t’i përmendej dikujt “kombi kosovar” të mbetej në qafë. Pothuaj askush nuk kishte “guximin”, të shprehte teoritë moderniste të formimit të kombit. Njerëzit në Kosovë (është fjala për etninë shqiptare), e konsideronin përkatësinë kombëtare, si një cilësi identifikuese konstante, relativisht të qëndrueshme, e dhënë njëherë e mirë. Nga fëmija 3 vjeç deri te plaku më i moshuar e konsideronin vetën, me kombësi shqiptare.

As që mund të imagjinohej, dikush të promovonte teza moderniste për kombin, siç bëjnë sot disa analistë e intelektualë si Halil Matoshi apo Nexhmedin Spahiu. Për kohën këto ishin absurde, të çekuilibruara e antishqiptare. Kujtojmë që sipas disa teoricientëve modernistë, kombi është konstrukt politik (Benedikt Anderson). Thjeshtë duke u nisur nga ky parim, sisa analistë pretendojnë se me formimin e shtetit të Kosovës rrjedhimisht është krijuar “kombi kosovar”. Por gjërat nuk janë vetëm bardhë e zi. Në anën tjetër, një tjetër modernist Ernest Gellner, pohon se një komb mund ti ketë më shumë se një shtet. Në fakt kjo sipas Gellnerit është një trajtë e lehtë e shkeljes së parimit nacionalist.

Sot, 11 vjet pas luftës, ideja e “kombit kosovar“, promovohet lirshëm midis Prishtinës. Njerëzit e rëndomtë, elitat politike, intelektuale e kulturore i shohin si normale dhe të dobishme që një shoqëri të hapur e demokratike ku mendimi ndryshe, perceptohet si vlerë. Vetëdije e ngritur e shqiptarëve dhe një etnocentrizëm që po humbet terren.

Por sa në fakt këto teori gjejnë aplikim në rastin tonë? A kapërcejnë këto teori kufizimet kulturore-kontekstuale? A është kusht i domosdoshëm, “kombi kosovar” që të kemi shtetin e Kosovës? Sa i shërben kjo paqes së qëndrueshme të rajonit? A guxon etnia shqiptare të krijojë kombe të ndryshme brenda saj, duke marrë parasysh faktin se jemi të rrethuar nga fqinjët që kanë pretendime territoriale ndaj nesh? A hynë në këtë ekuacion kompleks vullneti i qytetarëve të Kosovës?! Këtyre pyetjeve nuk është e lehtë për tu dhënë përgjigje.

Megjithatë, një gjë dihet shumë mirë, ideja e “kombit kosovar” nuk ka gjetur mbështetjen e popullit të Kosovës, të cilët duan të mbesin shqiptarë. Në anën tjetër, ka zëra që kërkojnë unifikim me Shqipërinë. Kjo ide është në pajtim me vullnetin e shqiptarëve dhe ka gjetur mbështetjen së paku morale të qytetarëve të Kosovës. Por, pavarësisht se iniciatorët e kësaj ideje, janë artikulues të vullnetit të shqiptarëve, jo rrallë herë këta iniciatiorë janë etiketuar si nacionalistë-komunistë, folkloristë, anarkistë, majtistë, stalinistë, primitivë. Por sa janë të drejta këto etiketime? Deri në çfarë shkalle e shtrembërojnë realitetin, këta nacionalistë-folkloristë? Sa janë të arsyeshme kërkesat e tyre? Kujt i bën dëm implementimi i vullnetit politik të shqiptarëve? A është ideja për bashkim ide pragmatike në thelb, apo i ka rrënjët në nacionalizmin primitiv?

Te nacionalistët primitivë, perceptimi i realitetit është i shtrembëruar në një shkallë të konsiderueshme nga tendencat vetshërbyese. Nacionalistët primitivë e perceptojnë realitetin në një mënyrë që të përputhet me imazhin e tyre narcizist të grupit. Por jo rrallë herë, tendenca që shtrembërojnë gjykimin i gjejmë edhe te modernistët kozmopolitë. Këta duket se gjykojnë në mënyrë sipërfaqësore, të cekët dhe janë të prirë të gabojnë.

Modernistët kozmopolitë të cilët i kanë shkëputur lidhjet, “ngjitjen simbiotike“ me kombin, duket sikur gjykojnë “nga jashtë”, dhe idealin e kanë ende në nivelin letrar. Modernistët, të orientuar nga vlerat perëndimore dhe shtetet që kanë një traditë të demokracisë liberale, i idealizojnë këto vlera e këto vende. Nuk i “vërejnë” mangësitë e perëndimorëve dhe i arsyetojnë paragjykimet e stereotipat që kanë anëtarët e shoqërive perëndimore për shqiptarët. Edhe këta janë “idealistë” të dhënë pas disa vlerave moderniste të cilat i konsiderojnë si “të mira absolute”.

Në fakt ne të gjithë jemi të ngarkuar me një energji narciziste që influencon gjykimin tonë dhe e shtrembëron atë. Por shkalla e shtrembërimit varet nga niveli i narcisizmit. Sa më narcizist të jetë individi aq me i turbullt është perceptimi i tij për realitetin. Megjithatë nivele optimale të narcizizmit janë të dobishme dhe kryejnë një funksion të domosdoshëm biologjik, social e psikologjik. Energjia narciziste është shtysa dhe karburanti që na vë në lëvizje në mënyrë që të plotësojmë nevojat tona biologjike e sociale. Por kur ky narcizizëm shkon në ekstrem, shkakton një paaftësi të thellë për të eksperimentuar realitetin në tërësinë e tij, duke i shkaktuar dëme arsyes dhe objektivitetit.

Me pak fjalë ne të gjithë jemi “subjektivë” dhe e shohim botën jo ashtu siç është por ashtu siç “duam”. Ajo që dallon është shkalla e shtrembërimit të realitetit. Ky nivel varet nga shkalla e edukimit, kultura, mjedisi, struktura sociale-ekonomike. Ndërsa mënyra se si e shtrembërojmë realitetin, varet nga “objekti”me të cilin jemi të lidhur në mënyrë narciziste: feja, kombi, familja, profesioni, vetja, shkenca, ideja, vlerat etj..

Narcisizmi individual në thelb nuk është i ndryshëm nga narcizizmi social, dhe në këtë linjë ajo që vlen për individët vlen edhe për grupet. Shpesh ego-ja personale rritët në ego kombëtare (nacionalizmi).
Nacionalizmi optimal, është i dobishëm, dhe kryen një funksion të rëndësishëm, kur objekt i krenarisë kombëtare bëhet arritja në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Vetëm atëherë kur radikalizohet, bëhet i rrezikshëm, dhe del nga binarët ka pasoja shkatërruese. Pra nëse njihet, dhe kontrollohet, nacionalizmi nuk duhet të shikohet në sensin negativ.

Edhe te shoqëritë më të përparuara, që ne i marrim si model, anëtarët a tyre ushqejnë një energji nacionaliste. Por, nacionalizmi i tyre është i kanalizuar drejt progresit, drejt arritjeve në fusha të ndryshme ekonomike, kulturore, akademike, sportive etj.

Në hapësirën ballkanike nacionalizmi është më primitiv, dhe për fat të keq zhvillimi ekonomik e kulturor është larg nga ky zhvillimi në shtetet perëndimore. Pasojat e sistemit komunist, siç shihet, po i vuajmë ende. Jo rastësisht të gjitha vendet ish komuniste, janë një hap prapa të tjerëve. Ngjarje tjetër është edhe “Konferenca e Ambasadorëve” në Londër e vitit 1913 pasojat e së cilës po i vuajmë ende, edhe shqiptarët, edhe popujt e tjerë ballkanas.

Copëtimi i trojeve shqiptare dhe ndarja e shqiptarëve në 5 njësi administrative të ndryshme ka bërë që fryma nacionaliste të mbetej gjallë. Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Greqia, secila mori një pjesë të truallit shqiptar. Por të drejtat dhe liritë e shqiptarëve nën pushtimin e këtyre shteteve u shkelen me të dyja këmbët. Mbi shqiptarët u ushtrua dhunë, terror, vrasje, burgosje, dëbime. Nuk mund të ndodhte ndryshe, përballë një armiku të jashtëm zhvillohet kohezioni brenda anëtarëve të grupit. Në këtë rast brenda anëtarëve të grupit etnik shqiptar u zhvillua ndjenja e përkatësisë dhe një lidhje emocionale ndërmjet tyre, një ndjenjë nacionaliste. Si rregull, përballë një armiku qe kërcënon ekzistencën vetjake e nacionale dhe në kushtet e një pushtimi të egër, nacionalizmi merr trajta dhe përmasa tjera, krahasuar me nacionalizmin në rrethana normale. 

Përmendëm më herët, që në këtë sens ajo që vlen për individin vlen edhe për grupin. Është e nevojshme të ngremë një paralele: p.sh nëse një person ndjen dhembje të mëdha të trupit, ai është i përqendruar totalisht te vetja e tij. Me këtë rast ai ka një vetëdije të reduktuar për atë që ndodhë përreth tij. Energjia e tij psikike është e kthyer kah EGO-ja e tij (narcizizmi). Ose imagjinoni një njeri që gjendet në një situatë midis jetës dhe vdekjes. Çdo gjë që ekziston për të në atë moment është vetja e tij. Gjithçka tjetër ka rëndësi vetëm në atë masë me të cilën i shërbejnë apo mund të shfrytëzohen prej tij si mjete për të shpëtuar. E njëjta gjë ndodh edhe me grupin. Kur rrezikohet ekzistenca e grupit, anëtarët e grupit e transferojnë narcizizmin e tyre te grupi. Nacionalizmi nuk është tjetër veçse narcizizëm social apo i grupit, si ndjenjë e atdhedashurisë . Ndërsa si parim politik nacionalizmi kërkon përputhjen e njësisë kulturore dhe asaj politike (Ernest Gellner).

Ndër të gjitha kërcënimet ndaj kërkesave jetësore të njeriut, ajo ndaj lirisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme, qoftë në profilin shoqëror ashtu edhe në atë vetjak. Dëshira për liri nuk është fryt i kulturës apo posaçërisht i edukimit, është provuar gjerësisht se kërkesa për liri është reagim biologjik i organizmit njerëzor në të dyja planet si në atë individual po ashtu edhe në atë social (të grupit). Prandaj, dëshira për krijimin e një shteti shqiptar, që përfshin brenda tij të gjitha trojet shqiptare (lexo: Shqipëria natyrale), pavarsisht se në dukje të parë duket si produkt i një nacionalizmi primitiv, ajo është e kushtëzuar nga rrethanat dhe si e tillë është krejt legjitime e e drejtë. Dëshirë kjo që nuk mund të shuhej në kushte okupimi e robërie.

Ne nuk u trajtuam kurrë si qytetarë të barabartë brenda shtetit serb. Nuk u tentua kurrë integrimi i shqiptarëve brenda shtetit të atëhershëm jugosllav, por në vend të saj kishte përpjekje për dëbimin e tyre, dhe kishte tendenca për një spastrim etnik, dhe situatë të ngjashme, trajtim të ngjashëm edhe shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi.

Sot gjërat dukën më mirë, nacionalizmi i ballkanasve, po fillon të marrë forma tjera duke u drejtuar në të tjera kanale më të pranueshme për botën demokratike dhe për kohën moderne që po jetojmë. Por nuk guxojmë të jemi edhe shumë optimistë. Derisa e vendosim paqen para lirisë, sovranitetin e shteteve para vullnetit të qytetarëve, mund të ndodh që nacionalizmi vetëm të kamuflohet, të ndryshojë në formë, por jo në përmbajtje. Fundi i fundit kujdesi kurrë nuk është i tepërt.

Por a ka ndonjë forcë që e trascendon vullnetin e njeriut?
Në Konventën e OKB-së neni 1, kreu 1, pjesa e dytë shkruan: “të zhvillohen marrëdhënie miqësore mes kombesh bazuar në parimet e të drejtave të barabarta, dhe të drejtës për vetëvendosje, dhe të merren masa të tjera të përshtatshme që të forcohet paqja e përbotshme”.
Prandaj, të kundërshtosh vullnetin e shqiptarëve për bashkim respektivisht të drejtën për vetëvendosje është në kundërshtim me konventën e OKB-së, dhe si e tillë është antihumane. Ndërsa të punosh kundër perspektivës ekonomike, kulturore, edukative, sportive, artistike, që sjellë bashkimi me Shqipërinë është antishqiptarizëm.

(Skender Sopa është student i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Agron Kelmendi është student i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës)