Musmurati: Komunat po përballen me centralizim, më 1 shtator protestojmë para Qeverisë
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka ftuar përfaqësuesit e komunave, zyrtarët, punëtorët dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për 1 shtator, para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Protesta është thirrur për në orën 11:00, ndërsa sipas Musmuratit, qëllimi i saj shkon përtej situatës së krijuar rreth funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po i trajton kompetencat e pushtetit lokal, duke pretenduar se ka një tendencë për transferimin e vendimmarrjes nga komunat në nivelin qendror.
Musmurati ka marrë si shembull Rregulloren 07/2025, veçanërisht procesin e vlerësimit të kandidatëve për punësim në administratën komunale.
“Paramendojeni, 60% e vlerësimit për me u punësu në komunë bëhet veç prej Ministrisë së Xhelal Sveçlës. Kjo nuk ka ndodhë kurrë më herët”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe përmbajtjen e testeve që u nënshtrohen kandidatët gjatë këtyre proceseve, duke përmendur pyetjen “Sa këmbë i ka bleta?”.
Sipas nënkryetares së Kryeqytetit, nevojat për staf dhe profilet profesionale duhet të përcaktohen nga vetë komunat, të cilat, siç ka thënë ajo, kanë njohuri më të drejtpërdrejta për nevojat e administratës së tyre.
“Komuna e din çfarë punëtori i duhet, po Ministria e Brendshme vendos se kush duhet të punësohet. Kjo s’është veç burokraci. Kjo është tendencë me centralizu gjithçka”, ka theksuar Musmurati.
Ajo u ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë të gjithë përfaqësuesve dhe punëtorëve të nivelit lokal, pavarësisht funksioneve që mbajnë.
“S’ka lidhje a je kryetar, asambleist, zyrtar, punëtor i komunës apo qytetar. Më 1 shtator, ju ftoj me dalë në protestën e komunave para Qeverisë”, ka thënë ajo.
Protesta pritet të mbahet më 1 shtator, duke nisur nga ora 11:00. Musmurati ka deklaruar se pjesëmarrja synon, sipas saj, mbrojtjen e kompetencave të pushtetit lokal dhe institucioneve komunale.
“Dalim në protestë për komunat tona, për institucionet tona dhe kundër një pushteti që po tenton me i marrë krejt kompetencat në një dorë”, ka përfunduar Musmurati. /Telegrafi/


