Mushica dëshironte të luante kundër Argjentinës
“Nuk e di a do të jem pjesë e përfaqësueses a jo, pasi që nuk kam kontaktuar me trajnerin, por nëse është kështu si po flitet, më bën shumë të lumtur dhe mezi pres të luaj në atë ndeshje. Këto përballje për mendimin tim nuk janë vetëm ndeshje miqësore, por edhe historike, kështu që çdo futbollist dëshiron që ta përfaqësojë vendin e vet në ato takime”, tha Mushica, për të cilin tashmë portat kanë nisur të hapën dhe shumëçka varet nga ta. Ai beson shumë që takimi i parë të luhet në Kosovë pasi që bashkëqytetarët e tij e meritojnë këtë.
“Hapi i partë është bërë dhe njerëzit që po bëjnë përpjekje ta realizojnë ndeshjen e parë por edhe ne që mund të jemi pjesë e kësaj përballjeje mezi presim atë takim. Unë do të doja që ai takim të luhet në Kosovë, pasi që do t’i mundësonte qytetarët e këtij vendi të jenë afër futbollistëve që e përfaqësojnë shtetin e tyre dhe jehona do të ishte shumë e madhe. Personalisht them se kjo ndeshje duhet të luhet në Kosovë”, ka shtuar portieri më i mirë në Kosovë i shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Sipas tij, po të ishte në dorën e tij, kundërshtari i parë do të ishte Argjentina.
“Nëse ishte varur nga unë, atëherë do të ishte Argjentina ajo që do të doja të luanim ndeshjen e parë, por tash me këto zgjedhje që na kanë mbetur, gjithsesi as Kolumbia nuk është keq. Një shtet që renditet i 4-ti në listën botërore dhe që përbëhet me futbollistë të klasit botëror do t’i kishte dhënë jehonë shumë të madhe në gjithë botën”, përfundoi Kushtrim Mushica. /Zëri/Telegrafi/


