Please enter at least 3 characters.

Muri i vjetër i çerdhes “Agimi” në Kaçanik rrezikon shembjen, ndërhyjnë autoritetet

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka deklaruar për Telegrafin se një pjesë e murit të vjetër rrethues të çerdhes “Agimi” ka filluar të lëvizë, duke krijuar rrezik për shembjen e tij.

Ilazi ka sqaruar se për shkak të rrezikshmërisë që paraqet ky mur, autoritetet komunale kanë ndërmarrë masa urgjente për ta shembur atë me anë të një kontraktori të angazhuar.

“Pjesa e vjetër e murit ka filluar të lëvizë dhe kjo na ka detyruar të ndërhyjmë menjëherë. Për shkak të rrezikut, kemi nisur procedurat për riparimin dhe shembjen e tij. Muri nuk është shembur, por është krisur. Po marrim masa për të parandaluar ndonjë situatë të papritur”, ka thënë Ilazi.

Kryetari ka treguar gjithashtu se kompania e përzgjedhur ka nisur punimet, por moti i keq dhe shiu kanë krijuar disa pengesa që kanë ngadalësuar ritmin e punës.

Sipas Ilazit, janë 24 metra mur që po riparohen aktualisht.

Ai tha se për shkak të rrezikut që paraqet muri dhe për të garantuar sigurinë, është vendosur që çerdhja të mbyllet për një javë gjatë kohës që po realizohen punimet.

“Kemi marrë masat e duhura për të siguruar që fëmijët dhe qytetarët të mos jenë në rrezik. Për këtë arsye, çerdhja do të qëndrojë e mbyllur këtë javë”, ka shtuar Ilazi.

Ai ka bërë me dije se çerdhja e re, që është ndërtuar si pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, ka shtatë vjet që është në funksionim.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë për Telegrafin se janë kontaktuar zyrtarët e komunës dhe i kanë marr masat e sigurisë.

"E në anën tjetër komuna ka kontraktuar një firmë për riparim, por për shkak kushteve atmosferike s'kanë mundur të fillojnë punimet", tha ai.

Tutje sipas Veselit, patrullat e Policisë here pas here janë duke e monitoruar situatën në atë rrugë.

Ndryshe, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, ka akuzuar qeverisjen e PDK-së në Kaçanik, ku ka deklaruar se fëmijët po rrezikohen nga muri i ndërtuar në çerdhe.

Raka në reagimin e tij ka deklaruar se LVV kishte kundërshtuar prishjen e çerdhes së vjetër dhe ndërtimin e çerdhes së re. /Telegrafi/