Please enter at least 3 characters.

Mungoi ndaj Man Unitedit dhe u përfol për konflikt me Amorimin, Leao sqaron gjithçka

Rafael Leao ka reaguar ndaj raportimeve se ka pasur një përplasje me trajnerin e Milanit, Ruben Amorim, pasi ishte përshkruar si një “influencë negative” në dhomën e zhveshjes së skuadrës.

Milan të shtunën pasdite përballet me Manchester Unitedin në “Tarczynski Arena” në Poloni, në ndeshjen e fundit miqësore para nisjes së sezonit.

Takimi pritet të jetë edhe përballja e parë e Amorimit me ish-klubin e tij, Manchester Unitedin, që prej shkarkimit nga “Djajtë e Kuq” në janar, pas një serie rezultateve zhgënjyese dhe përplasjeve publike me drejtuesit e klubit.

Përpara ndeshjes, vëmendja e mediave është përqendruar edhe te mënyra se si Amorim është përshtatur te Milani që prej emërimit në qershor, kur zëvendësoi Massimiliano Allegrin.

Në këtë periudhë u raportua se Leao kishte pasur probleme me Amorimin, me trajnerin portugez që dyshohet se e konsideronte bashkëkombësin e tij një ndikim negativ në ambientin e skuadrës.

Sipas këtyre raportimeve, Amorim kishte shqetësime për ndikimin e Leaos në atmosferën e dhomës së zhveshjes, çka lidhej edhe me zërat e shumtë për një largim të mundshëm të sulmuesit gjatë kësaj vere.

Megjithatë, Leao ka vendosur t’u përgjigjet drejtpërdrejt këtyre pretendimeve. Ai reagoi në rrjetin social X ndaj një postimi që shpërndante raportimin, duke shkruar në mënyrë ironike: “Ndoshta sepse po gënjen”.

Fakti që Leao mungoi në skuadrën e Milanit për miqësoren ndaj Manchester Unitedit i kishte shtuar dyshimet, por më pas u bë e ditur se mungesa e tij lidhej me një dëmtim të lehtë, dhe jo me ndonjë masë disiplinore.

Pavarësisht kësaj, e ardhmja e Leaos në “San Siro” vazhdon të jetë e pasigurt. Gjithnjë e më shumë raportohet se si Milani, ashtu edhe vetë futbollisti, janë të hapur ndaj mundësisë së një ndarjeje gjatë kësaj vere./Telegrafi/