Please enter at least 3 characters.

Mungesa e kamerave në shkollat problematike dhe 198 raste dhune, ZKA analizon sigurinë arsimore në Ferizaj

Mungesa e kushteve bazë të infrastrukturës së sigurisë dhe mospërputhja e të dhënave për rastet e dhunës karakterizojnë gjendjen në shkollat publike të Komunës së Ferizajt, sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në 10 shkollat e audituara në këtë komunë, në librat e evidencave fizike janë gjetur të shkruara 198 raste të dhunës për periudhën 2022–2025, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, në sistemin digjital SMIA ishin transmetuar vetëm 17 raste, ndërsa Policia e Kosovës kishte të regjistruara 37 raste.

Një nga gjetjet kryesore të raportit në Ferizaj lidhet me menaxhimin e rreziqeve.

Shkolla e cila kishte numrin më të lartë të rasteve të dhunës sipas raporteve të Policisë nuk ka pasur fare kamera sigurie, duke i instaluar ato vetëm në qershor të vitit 2026.

Në anketën e zhvilluar me 197 nxënës në Ferizaj, 8 për qind e tyre kanë pohuar se kanë parë armë brenda hapësirave shkollore.

Përmes kërkesave të tyre, nxënësit e shkollës "Faik Konica" kanë kërkuar prani të policisë civile dhe kontrolle sistematike për parandalimin e bartjes së armëve të ftohta.

Po ashtu, nxënësit e shkollës "Kuvendi i Arbërit" kanë kërkuar kontrolle të çantave dhe vendosje të menjëhershme të kamerave të sigurisë. /Telegrafi/