Mourinho kërkon transferimin e yjeve me kosto marramendëse
Jose Mourinho nuk e konsideron ende të mbyllur afatin kalimtar te Real Madridi.
Trajneri portugez beson se skuadra ka bërë përparim të rëndësishëm me afrimet e deritanishme, por sipas tij ende nevojiten përforcime në tre pozita kyçe: një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues tip “9”.
Sipas planifikimit të stafit teknik, këto lëvizje mund të çojnë shpenzimet totale të klubit rreth shifrës 200 milionë euro.
Mourinho kërkon përforcim në mbrojtje
Mbrojtja mbetet një nga shqetësimet kryesore të trajnerit portugez. Edhe pse afrimi i Ibrahima Konates ka forcuar repartin defensiv, Mourinho mendon se nevojitet edhe një qendërmbrojtës tjetër për shkak të problemeve fizike që kanë pasur Antonio Rudiger dhe Eder Militao.
Emri që përmendet më shpesh është Alessandro Bastoni i Interit, një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Evropë.
Megjithatë, çdo lëvizje për të do të varet nga largimi i Raul Asencios, i cili nuk bën pjesë në planet kryesore të trajnerit.
Klubi nuk do të ndërhyjë për Bastonin nëse Asencio qëndron, pasi kjo do të krijonte mbingarkesë në repartin e qendrës së mbrojtjes.
Në mesfushë, objektivi kryesor i Mourinhos është Enzo Fernandez i Chelseat.
Argjentinasi shihet si profili ideal për stilin e lojës së kërkuar nga trajneri: intensitet, kontroll i ritmit dhe aftësi për të ndërtuar lojën në ndeshje të mëdha.
Një transferim i tillë do të kërkonte largimin e një mesfushori aktual. Emrat e Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni përmenden si opsione potenciale, megjithëse të dy nuk kanë shfaqur dëshirë për t’u larguar.
Një sulmues “9” për situata të vështira
Kërkesa e tretë e Mourinhos është një sulmues qendre klasik. Nuk bëhet fjalë për një “yll” të madh, por për një lojtar të fortë fizikisht, të aftë në lojën ajrore dhe në zgjidhjen e ndeshjeve të mbyllura, profil i ngjashëm me Joselu.
E ardhmja e Gonzalo Garcias mund të ndikojë drejtpërdrejt në këtë lëvizje. Nëse sulmuesi largohet për më shumë minuta loje, Real Madridi do të hapte rrugën për një afrues të ri në këtë rol.
Në përgjithësi, ekziston një dallim mes vizionit të trajnerit dhe strategjisë së presidencës.
Mourinho kërkon balancë dhe thellësi në skuadër, ndërsa Florentino Perez nuk përjashton një goditje të madhe në afatin kalimtar për të entuziazmuar tifozët, me emra si Michael Olise që përmenden në prapaskenë.
Real Madridi mbetet aktiv në afatin kalimtar, por çdo lëvizje e madhe do të varet nga shitjet.
Vera në “Santiago Bernabeu” pritet të sjellë edhe disa kapituj të tjerë të rëndësishëm. /Telegrafi/


