Mosmarrëveshje për emërimin e drejtorëve, a po rrezikohet koalicioni VV-LDK në Mitrovicë?
Kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Gezim Plakolli ka deklaruar se koalicioni me Vetëvendosjen për qeverisje lokale në këtë komunë nuk është në “rrezik”.
Ai ka shtuar se nuk ka diskutime për prishje të koalicionit me Vetëvendosjen.
“Nuk jemi në diskutime për prishje të koalicionit. Po diskutojmë vetëm për pozita,” tha Plakolli pas përfundimit të takimit me Faton Pecin.
Ai shtoi se takime të tjera do të zhvillohen edhe nesër dhe pasnesër dhe se gjithçka do të jetë pjesë e diskutimeve të rregullta.
Plakolli theksoi se takimi i fundit nuk ka sjellë asnjë zhvillim të ri dhe se situata mbetet e njejtë.
Ndërsa, Safet Kamberi, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut nga radhët e LDK-së, ka konfirmuar për Kosovapress se deri më tani nuk ka zhvillime të reja rreth çështjes së koalicionit në komunë.
“Nuk jam pjesë e kryesisë së degës në Mitrovicë, nuk jam kompetent për të folur për qëndrimet e degës, mirëpo për aq sa kam informata nuk ka ndonjë zhvillim dramatik. Por, besoj që dega e sqaron këtë çështje”, tha ai.
Burime për Kosovapress bëjnë të ditur se Peci nuk po respekton propozimin e LDK-së për emërimin e drejtorëve. Arsyeja kryesore e mosmarrëveshjes lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj pa dakordim me partnerin e koalicionit.
Votimi kundër koalicionit ka ndodhur pasi LDK kishte propozuar Gëzim Plakollin për drejtor të Kulturës, ndërsa kryetari i komunës, Faton Peci, ka përzgjedhur Gazmend Asllanin.


