Momenti kur barrikadohen punonjësit italianë të kujdesit shëndetësor - kërkojnë që ushtria t'i mbrojë nga sulmet e pacientëve
Sindikatat e mjekëve dhe infermierëve në Itali u kanë bërë thirrje autoriteteve që të vendosin ushtrinë në spitale, si reagim ndaj numrit të shtuar të sulmeve nga pacientët dhe të afërmit e tyre ndaj punonjësve shëndetësorë.
Në një nga videot e fundit në rrjetet sociale, punonjësit e spitalit në Foggia, në jug të vendit, shihen të barrikaduar në një dhomë. Ata u mbyllën kur në spital erdhën 50 të afërm dhe miq të 23-vjeçares që humbi jetën pas operacionit urgjent. Me atë rast janë lënduar disa punonjës. Ky rast ka ndodhur të premten, më 6 shtator.
Spitali i përmendur raportoi një sulm tjetër dy ditë më vonë, d.m.th. se pacienti po godiste tre infermiere të urgjencës. Të martën, më 10 shtator, një pacient sulmoi një mjek në spitalin në Casarano.
Dy sulme të tjera fizike u raportuan këtë javë në provincën e Napolit, ku punonjësit shëndetësorë thanë se sulmi ndodhi pasi pacientëve dhe familjeve të tyre iu kërkua të prisnin radhën. Një i afërm i një pacienti goditi një praktikant në spitalin e Palermos muajin e kaluar.
Antonio De Palma, president i sindikatës Nursing Up, tha se kurrë nuk kishte pasur një nivel të tillë rreziku dhe agresioni. Ai u bëri thirrje autoriteteve që urgjentisht të merren me këtë situatë dhe të mendojnë për përfshirjen e ushtrisë në institucionet shëndetësore.
Presidenti i Federatës Italiane të Shoqatave Mjekësore-Shkencore (Fism), Loreto Gesualdo, sugjeroi që për tre vjet t'u mohohet kujdesi shëndetësor falas atyre që sulmojnë punonjësit shëndetësorë dhe/ose dëmtojnë një strukturë shëndetësore.
Sipas të dhënave të Fismo, vitin e kaluar janë regjistruar më shumë se 16 mijë sulme verbale dhe fizike ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor. Vitin e kaluar, një 62-vjeçar u dënua me 16 vjet burg për vrasjen e një mjeku para një spitali në Milano në vitin 2022. I dënuari ka pohuar se ka marrë terapi të padobishme.
Shumë sulme janë rezultat i mungesës së punonjësve shëndetësorë dhe i zhgënjimit për pritjet e gjata për kirurgji dhe konsultime. Kjo mungesë u përshkallëzua gjatë pandemisë së coronavirusit, kur largimi i këtyre punëtorëve jashtë vendit u përshpejtua. Pavarësisht problemeve në shëndetësi, qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni po planifikon shkurtime shtesë financiare në shëndetësi.
Sipas Forumit të Shoqatave Shkencore të Klinikëve Spitalorë dhe Universitar italianë nga viti 2023, këtij vendi i mungonin 30 mijë mjekë. Midis 2010 dhe 2020, 111 spitale dhe 113 qendra emergjente u mbyllën. /Telegrafi/


