Please enter at least 3 characters.

Momente paniku te Bayerni, ylli i skuadrës humb ndjenjat në mes të ndeshjes

Ndeshja miqësore mes Bayernit të Munichut dhe Leipzigut të shtunën mori një kthesë shqetësuese në minutat e fundit, pasi Jamal Musiala humbi ndjenjat në fushë.

Reprezentuesi gjerman u rrëzua në tokë dhe për disa momente dukej se kishte humbur vetëdijen.

Bashkëlojtari i tij i ri, Ismael Saibari, reagoi menjëherë, duke iu afruar Musialas dhe duke thirrur ekipin mjekësor.

Musiala mori trajtimin e nevojshëm dhe më pas u largua nga fusha në këmbët e tij, edhe pse dukej i tronditur nga ajo që kishte ndodhur. Në minutën e 86-të, në vend të tij u aktivizua i riu senegalez Bara Njie.

Incidenti ndodhi vetëm pak minuta pasi Musiala kishte shënuar golin e tretë të Bayernit, në minutën e 81-të. Asistimin për golin e gjermanit e dha pikërisht Saibari, i cili po zhvillonte paraqitjen e tij të parë me fanellën e Bayernit pas transferimit nga PSV Eindhoven gjatë kësaj vere.

Bayerni triumfoi me rezultat 3-1 në “Allianz Arena”. Luis Diaz e hapi serinë e golave, ndërsa Leipzigu barazoi përkohësisht. Më pas, Nathanael Broën dhe Musiala shënuan për t’ia siguruar fitoren skuadrës bavareze.

Ndeshja ishte pjesë e përgatitjeve të Bayernit për Superkupën e Gjermanisë ndaj Borussia Dortmundit fundjavën e ardhshme.

Kampionët gjermanë do ta nisin sezonin e ri në Bundesliga më 28 gusht, ndaj Stuttgartit./Telegrafi/