MINTI gjobit KEDS-in me 90 mijë euro për njehsorë me afat të skaduar
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale 90 mijë euro, për parregullsi të konstatuara gjatë verifikimit të njehsorëve elektrikë.
Sipas MINTI-t, gjobat janë shqiptuar pasi për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
Ministria ka bërë të ditur se gjatë muajit prill 2026 ka vazhduar trajtimin e ankesave të konsumatorëve lidhur me parregullsitë në njehsorë. Ndërkohë, komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar gjithsej 574 ankesa, të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
Në njoftim thuhet se gjatë kësaj periudhe janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në shtatë rajone të Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK). Sipas rezultateve, në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë është konstatuar skadimi i afatit të vlefshmërisë.
MINTI ka njoftuar se ankesat e konsumatorëve të mbështetura me dëshmi për devijime kohore po përcillen në KESCO, nga e cila, sipas ministrisë, kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.
Po ashtu, raportet zyrtare nga komisioni verifikues, sipas MINTI-t, do t’u dorëzohen edhe organeve të drejtësisë si prova në kuadër të procedurave hetimore të nisura.
Ministria ka paralajmëruar se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave bazuar në gjetjet përkatëse, duke inkurajuar qytetarët që t’i adresojnë ankesat e tyre me dëshmi, adresë dhe kontakt.
Ankesat mund të dërgohen përmes platformës së komunikimit në Viber në numrin +383 46 311 000 dhe në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net. /Telegrafi/


