Please enter at least 3 characters.

MINTI formon komision për verifikimin e njehsorëve elektrikë, fton qytetarët të paraqesin ankesat

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe pretendimet për keqllogaritje.

Në një komunikatë zyrtare, kjo ministri bëri të ditur se, me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë.

Ky veprim, sipas MINTI-t, mbështetet në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe realizohet në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

MINTI thekson se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët lidhur me dyshime për keqllogaritje të njehsorëve elektrikë. Megjithatë, nga data 1 prill 2026, komisioni do të nisë verifikimet në terren për çdo rast që paraqitet nga qytetarët.

MINTI u bën thirrje konsumatorëve që, nëse kanë dyshime për saktësinë e matjes së energjisë elektrike, të paraqesin ankesat e tyre, në mënyrë që ato të shqyrtohen nga komisioni përkatës./Telegrafi.