Please enter at least 3 characters.

Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë

Kompania “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, nuk gjendet në adresën në Kosovë, ku figuron e regjistruar në sistemin serb, konstatoi Radio Evropa e Lirë.

Por, kjo nuk i pengon institucionet e Serbisë që t’i ndajnë asaj kontrata milionëshe për punë ndërtimore.

Steviq dhe kompania e tij, tash e pesë vjet, janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve me Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Vesellinoviqin, si dhe për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai përballet gjithashtu me akuza për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë.

Vetëm që nga fillimi i këtij viti, institucionet serbe kanë lidhur me kompaninë e Steviqit dhjetë kontrata me vlerë mbi një milion euro, edhe pse ajo nuk i ka përfunduar ende më shumë se njëzet punë të mëparshme, të cilat i janë besuar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo dëshmohet nga dokumentacioni i tenderëve në bazën e prokurimeve publike të Serbisë, të cilin e analizoi Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa në terren mungojnë makineritë dhe punëtorët, Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet që figurojnë zyrtarisht si të përfunduara, janë realizuar vërtet.

Sipas aktakuzës së Kosovës për sulmin në Banjskë, Steviq, përmes kompanive të tij, e ka ndihmuar udhëheqësin e grupit të armatosur, Millan Radoiçiq, në pastrimin e parave.

Beogradi zyrtar, i cili nuk e njeh Kosovën si shtet, i hedh poshtë këto akuza.

Derisa dy sistemet nuk e njohin njëri-tjetrin, kompania e Steviqit vazhdon të bëjë biznes me institucionet e Serbisë, edhe pse pronari i saj kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar, me kërkesë të Kosovës.

Se ku ndodhet aktualisht Radulle Steviq, nuk dihet.

Policia dhe Prokuroria në Beograd nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë nëse ai ndodhet në Serbi dhe nëse është nën hetime.

Në pyetjet e REL-it nuk u përgjigjën as kompania e Steviqit dhe as institucionet serbe që vazhdojnë të lidhin kontrata me të.

Rinovimi i shkollave, spitaleve, kishave dhe manastireve në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ndërtimi i shtëpive për qytetarët në nevojë, janë vetëm disa nga projektet që i janë besuar kësaj kompanie.

Selia e kompanisë, prej kohësh, e zbrazët

Sipas regjistrit të bizneseve në Serbi, selia e kompanisë së Radulle Steviqit është e regjistruar në një ndërtesë në qendër të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Por, në këtë adresë, Radio Evropa e Lirë gjeti një ndërtesë shumëkatëshe të zbrazët.

Dyert ishin të mbyllura dhe nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se aty ushtron veprimtarinë kompania “Rad 028”.

“Prej kohësh nuk është askush aty. Është bosh”, tha për Radion Evropa e Lirë një banore e Zveçanit, e cila kërkoi të mbetet anonime.

Ndërtesa ku është e regjistruar selia e kompanisë "Rad 028" dhe e cila, sipas pretendimeve të qytetarëve me të cilët bisedoi REL-i, është "e zbrazët që një kohë të gjatë".

Qytetarë të tjerë të Zveçanit, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thanë se kompania është zhvendosur në Rashkë, qytet në Serbi pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Ndërtesa ku thuhet se është selia e "Rad 028" në Zveçan.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi gjashtë lokacione në Kosovë, ku, sipas kontratave të lidhura me institucionet serbe gjatë një viti e gjysmë të fundit, kompania “Rad 028” duhej të kryente punime ndërtimore.

Në asnjërin prej këtyre lokacioneve nuk u panë punime në zhvillim.

Po ashtu, mungonin edhe tabelat informuese që zakonisht tregojnë për investitorin dhe kompaninë zbatuese të projektit.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet janë kryer gjatë muajve të kaluar dhe kush i ka realizuar ato, pasi kompania nuk iu përgjigj pyetjeve të saj.

Me kë punon “Rad 028”?

Numrin më të madh të kontratave, kompania e Radulle Steviqit e ka lidhur me organet e përkohshme komunale, të themeluara sipas ligjeve të Serbisë.

Këto institucione vepronin në komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në vitin 2024, kur autoritetet e Kosovës i mbyllën, duke i cilësuar si të paligjshme.

Megjithatë, ato vazhduan punën nga lokacione alternative në qytete të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë i pyeti këto organe se mbi çfarë kriteresh ia ndajnë kontratat kompanisë “Rad 028” dhe si mbikëqyren projektet që ajo zbaton, duke pasur parasysh se pronari i saj është nën aktakuzë në Kosovë dhe nën sanksione ndërkombëtare.

As organet e përkohshme komunale, as Qeveria e Serbisë dhe Zyra e saj për Kosovën nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it.

Në tre vjetët e fundit, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar një sërë projektesh ndërtimore, të financuara nga Beogradi, me arsyetimin se ato nuk i kanë pasur lejet e nevojshme nga institucionet e Kosovës.

Nga dhjetë kontratat që “Rad 028” ka lidhur me institucionet serbe që nga fillimi i vitit 2026, vetëm dy figurojnë në regjistrin e prokurimit publik si të realizuara.

Njëra prej tyre ka të bëjë me furnizimin e nxënësve të shkollave fillore në Kosovë me pako për Vitin e Ri.

Gjatë vitit 2025, kompania lidhi më shumë se 30 kontrata me vlerë mbi 6.4 milionë euro.

Lista e tenderëve, sipas ueb-faqes së prokurimit, që u fituan nga "Rad 028" më 2026. Në këtë listë shihet se vetëm dy kontrata janë "ekzekutuar".

Ato përfshijnë ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, si dhe rinovimin e shkollave, çerdheve dhe spitaleve në disa komuna të Kosovës.

Institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista e tenderëve të fituar nga kompania "Rad 028" më 2025. Në të mund të shihen se nga 30 kontrata, dhjetë thuhet se janë "zbatuar", ndërsa puna për të tjerat nuk ka përfunduar.

Sipas të dhënave zyrtare, 20 nga kontratat e vitit 2025 nuk janë realizuar ende.

Ndërkaq, 11 të tjera figurojnë si të përfunduara, përfshirë ndërtimin e shtëpive dhe rinovimin e objekteve publike.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në terren nëse këto punime janë kryer vërtet, përkatësisht nëse shtëpitë janë ndërtuar dhe objektet janë rinovuar.

Pasqyrat financiare të kompanisë “Rad 028”, të publikuara në regjistrin e bizneseve në Serbi, tregojnë se gjatë vitit 2025 ajo ka pasur vetëm nëntë të punësuar, ndërsa ka realizuar të ardhura prej mbi 8.7 milionë eurosh.

Dokumentet nuk zbulojnë nëse kompania ka angazhuar nënkontraktorë apo bashkëpunëtorë të tjerë për të realizuar projektet e financuara nga institucionet shtetërore.

Dokumentacioni i tenderëve, i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se “Rad 028” ka bashkëpunuar ndër vite me disa kompani që përmenden në aktakuzën e Kosovës për sulmin në Banjskë, si pjesë e një skeme të dyshuar të pastrimit të parave.

A mbërrijnë fondet e Serbisë te komuniteti serb në Kosovë?

Millija Bishevac, këshilltar opozitar në komunën e Zubin Potokut, thotë për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e konsiderueshme e fondeve që Serbia ndan nga buxheti për Kosovën, nuk arrin te qytetarët.

Sipas tij, mënyra se si shpenzohen këto mjete kontrollohet nga zyrtarët e Listës Serbe - partisë që udhëheq komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Pasojat e kësaj politike shihen më së miri në terren. Pavarësisht miliona eurove që ndahen prej vitesh për projekte, mjediset serbe vazhdojnë të përballen me mungesë serioze të infrastrukturës bazë”, thotë ai.

Bishevac shton se, ndonëse autoritetet e Kosovës kanë ndalur shumë projekte të financuara nga Serbia, ato vazhdojnë të figurojnë në dokumentacionin zyrtar, edhe pse, sipas tij, “nuk janë realizuar kurrë plotësisht, nuk janë funksionale ose kanë mbetur vetëm në letër”.

Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këto pretendime.

Aktualisht, kjo parti drejtohet nga Zllatan Ellek, ndërsa deri në sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, nënkryetar i saj ishte Millan Radoiçiq.

Sipas Bishevacit, “Rad 028” është vetëm një nga kompanitë që përfiton nga ky sistem.

“Problemi nuk qëndron te një kompani e vetme, por te i gjithë sistemi, ku shuma të mëdha parash u jepen kontraktorëve të përzgjedhur, ndërsa publiku nuk ka mundësi të dijë se çfarë është ndërtuar realisht dhe çfarë u është dorëzuar qytetarëve për shfrytëzim”, thotë ai.

Për këtë arsye, shton Bishevac, është e domosdoshme të sqarohet se ku kanë përfunduar fondet dhe kush mban përgjegjësi për mënyrën se si janë shpenzuar.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se, prej vitesh, “vjedhja përmes Kosovës fshihet pas patriotizmit”, ndërsa politika e financimit të serbëve për të qëndruar në Kosovë, sipas tij, është ndërthurur me krimin e organizuar.

Në Llapnasellë, kompanisë së Radulle Steviqit i është besuar rinovimi i çatisë dhe lyerja e krahut të majtë të Qendrës Klinike Spitalore.

Kontrata, me vlerë rreth 200 mijë euro, është dhënë nga organi i përkohshëm i komunës së Prishtinës, i themeluar sipas sistemit serb.

Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë. Qershor, 2026.

Qendra Klinike Spitalore, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, u zhvendos nga Prishtina në Graçanicë dhe Llapnasellë pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Edhe sot, një pjesë e shërbimeve ofrohet në kontejnerë metalikë, ndërsa objekti është zgjeruar pjesë-pjesë ndër vite.

Gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte nëse çatia është rinovuar dhe nëse krahu i majtë i objektit është lyer, siç parashihej në kontratë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, konfirmimin për kryerjen e punimeve nuk e dha as Qendra Klinike Spitalore.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar qysh në vitin 2018 se do të financojë ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, por punimet për këtë projekt nuk kanë nisur ende.

Tri kontrata brenda një dite

Në korrik të vitit 2025, kompania “Rad 028” fitoi tre tenderë brenda një dite, me vlerë të përgjithshme prej rreth 250 mijë eurosh.

Të trija kontratat iu dhanë nga Qendra Studentore “Prishtina”, me seli në Mitrovicën e Veriut, për punime në objektet e saj - nga lyerja, suvatimi dhe rregullimi i fasadave, deri te ndërrimi i çative dhe dritareve.

Sipas sistemit të prokurimit publik të Serbisë, të analizuar nga Radio Evropa e Lirë, punimet figurojnë si të përfunduara në tetor dhe nëntor të vitit 2025.

Megjithatë, gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte se cilat punime ishin kryer.

Për këtë nuk dha përgjigje as Qendra Studentore, e cila funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë.

Qendra menaxhon konvikte, mensën, poliklinikën dhe shërbime të tjera për studentët e Universitetit të Prishtinës, i cili, pas luftës së vitit 1999, u zhvendos në Mitrovicën e Veriut.

Përballë Qendrës Studentore ndodhet edhe objekti i papërfunduar i Universitetit.

Ndërtimi i tij financohet nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por në korrik të vitit 2023 autoritetet e Kosovës i pezulluan punimet, me arsyetimin se projekti nuk kishte leje ndërtimi.

Edhe këtë objekt po e ndërtonte kompania e Radulle Steviqit.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë nëse ka njohuri për projektet që financohen dhe zbatohen nga institucionet serbe në Kosovë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk kishte as në pyetjet nëse këto projekte mbikëqyren nga institucionet e Kosovës dhe nëse, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Steviqit, janë pezulluar projektet e kompanisë së tij në mjediset me shumicë serbe.

Shkolla në Zveçan

Në Zveçan, kompanisë “Rad 028” i është besuar riparimi i një pjese të çatisë dhe rinovimi i tualeteve të një shkolle fillore.

Vlera e kontratës është rreth 40 mijë euro.

Sipas bazës së prokurimeve publike, projekti ende nuk figuron si i përfunduar.

Kontrata, e nënshkruar në dhjetor të vitit 2025, parasheh afat njëvjeçar për realizimin e punimeve.

Megjithatë, gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk pa as punime dhe as tabelë që tregon se projekti është duke u zbatuar.


Shkolla Fillore "Vuk Karaxhiq" n\u00eb Zve\u00e7an.

Punime edhe në objekte fetare

Në fshatin Zherovnicë, afër Zveçanit, kompanisë “Rad 028” iu besuan në janar të vitit 2026 punimet për rinovimin dhe zgjerimin e kishës së fshatit.

Kontrata, me vlerë 120 mijë euro, përfshin sanimin dhe zgjerimin e kishës, kapelës dhe një objekti ndihmës.

Punimet u kontraktuan nga organi i përkohshëm i komunës së Zveçanit, me afat realizimi prej një viti.

Gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të konfirmonte nëse punimet kishin nisur apo çfarë ishte realizuar deri në atë kohë.

Objekti përballë kishës dukej se ishte rinovuar ose zgjeruar së voni, por nuk kishte dëshmi se bëhej fjalë për projektin e kontraktuar.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë nëse punimet janë kryer dhe kush është duke i realizuar ato, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk kishte as në pyetjen nëse Dioqeza Rashkë-Prizren ishte në dijeni se punimet në objektet fetare, nën administrimin e saj, i ishin besuar një kompanie, pronari i së cilës në Kosovë akuzohet për pastrim parash.

Kisha në Zherovnicë nuk është i vetmi objekt fetar ku kompania “Rad 028” ka fituar kontrata.

Asaj i është besuar edhe rikonstruktimi i një objekti brenda oborrit të një kishe tjetër afër Zveçanit, me vlerë rreth 60 mijë euro, si dhe ndërtimi i një etno-fshati pranë Manastirit të Dragancit, afër Gjilanit.


Hyrja në kishën në Zhernovicë, afër Zveçanit. Qershor, 2026.

Për projektin e fundit, kompania pritet të përfitojë mbi 1.2 milion euro.

Kontrata është nënshkruar në qershor të vitit 2025, me afat realizimi një vit, por në regjistrin e prokurimeve publike ende nuk figuron si e përfunduar.

Në prill të vitit 2025, kompania e Radulle Steviqit fitoi edhe një kontratë me vlerë rreth 280 mijë euro për ndërtimin e rrugëve kundër zjarrit dhe një strehe për makineritë, pranë një depoje frigoriferike në Badovc, afër Graçanicës.

Kontrata, me afat realizimi prej gjashtë muajsh, u dha nga organi i përkohshëm i komunës së Prishtinës.

Po gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kompania fitoi edhe dy tenderë të tjerë, me vlerë të përgjithshme rreth 300 mijë euro, për punime shtesë në të njëjtin kompleks, përfshirë ndërtimin e një nënstacioni elektrik dhe një rezervuari për mbetjet organike të fermës.

Depoja frigoriferike dhe objektet e tjera ndodhen në një pronë të Dioqezës Rashkë-Prizren të Kishës Ortodokse Serbe.

Në këtë kompleks, Manastiri i Graçanicës menaxhon një ekonomi bujqësore me ferma gjedhësh dhe shpezësh, si dhe objekte për përpunimin e qumështit, mishit, frutave dhe perimeve.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, ferma e shpezëve ende nuk është funksionale.

Vizita në terren tregoi gjithashtu se rruga që, sipas kontratave, duhej të çonte drejt depos frigoriferike dhe fermës së shpezëve, nuk ekziston.

Po ashtu, tri kontratat që parashihnin ndërtimin e kësaj rruge dhe të strehës për makineri ende nuk figurojnë si të përfunduara në regjistrin e prokurimeve publike, edhe pse afati për realizimin e tyre ka kaluar.

Në nëntor të vitit të kaluar, kompania “Rad 028” fitoi edhe një kontratë tjetër, me vlerë rreth 187 mijë euro, për rikonstruktimin e një rruge me zhavorr në Badovc.

Kontrata ishte paraparë të realizohej brenda tre muajsh, por edhe kjo nuk figuron ende si e përfunduar.Dragani, banor i Badovcit, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dijeni për këtë investim.“Ajo që di është se, së fundmi, janë asfaltuar dy rrugë të shkurtra, rreth 200 metra secila. Nuk e di se kush i ka ndërtuar”, tha ai.

“Në sistemin e ujësjellësit është punuar gjithashtu, por as ai nuk ka përfunduar”, shtoi Dragani.Radio Evropa e Lirë pyeti edhe udhëheqjen e Komunës së Graçanicës nëse është në dijeni për kontratat që kompania “Rad 028” ka fituar në këtë komunë dhe zonat përreth, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje

Kush është Radulle Steviq?

Radulle Steviq i ka regjistruar kompanitë e tij si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë të Serbisë.Për vite me radhë, ai ka përfituar kontrata publike me vlerë prej miliona eurosh si nga institucionet në Beograd, ashtu edhe nga ato në Prishtinë.Por, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij, institucionet e Kosovës ndaluan t’i jepnin kontrata, e ato të Serbisë vazhduan ta angazhojnë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Steviq, përmes kompanive të tij, e ka ndihmuar Millan Radoiçiqin që “të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale t’i shndërrojë në pasuri” dhe të fshehë origjinën e tyre.

Për veprën penale të pastrimit të parave, për të cilën akuzohet në Kosovë, ai rrezikon deri në dhjetë vjet burgim. Në aktakuzë përfshihen edhe kompanitë e tij të regjistruara në Kosovë dhe në Serbi.

Sipas Prokurorisë, për mënyrën e funksionimit të këtyre kompanive vendoste Millan Radoiçiq, i cili, përmes pastrimit të parave dhe aktiviteteve kriminale, kishte krijuar ndikim dhe kontroll mbi veriun e Kosovës.

Radoiçiq, i cili ka pranuar publikisht se ka organizuar sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, në Kosovë akuzohet për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues.

Sipas aktakuzës, ai ishte drejtuesi i grupit të armatosur që synonte ta shkëpuste me forcë veriun e Kosovës dhe ta bashkonte atë me Serbinë.Në sulmin në Banjskë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Më 24 prill, në Kosovë u shpall aktgjykimi i parë lidhur me rastin e Banjskës: dy të akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa një tjetër me 30 vjet burg.Mbi 40 të akuzuar të tjerë vazhdojnë të mos jenë të qasshëm për drejtësinë e Kosovës.

Autoritetet serbe e kanë injoruar si këtë aktakuzë, ashtu edhe vendimin e gjykatës në Kosovë. Ato nuk kanë ndërmarrë as masa pas sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Millan Radoiçiqit, Zvonko Vesellinoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Radoiçiq ndodhet në Serbi, ku ka masën e ndalimit të largimit nga ky vend. Aktakuza që Prokuroria e Beogradit kishte paralajmëruar për rastin e Banjskës, nuk është ngritur ende. /REL/