Please enter at least 3 characters.

Milani merr 14 milionë euro “dhuratë” nga Reijnders falë një klauzole të pabesueshme

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Manchester City ka arritur marrëveshje për shitjen e Tijjani Reijnders te Al Qadsiyah, një transferim që mund t’i sjellë një përfitim të dyfishtë financiar Milanit falë një klauzole të veçantë në marrëveshjen e kaluar.

Mesfushori holandez iu bashkua Cityt nga Milani verën e kaluar për një shumë fikse prej 55 milionë eurosh, me mundësinë e 14 milionë eurove të tjera në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet dhe objektivat.

Megjithatë, sipas La Gazzetta dello Sport, Milani kishte përfshirë një klauzolë shumë interesante në marrëveshje.

Nëse City do ta shiste Reijndersin brenda vitit të parë pas largimit nga ‘San Siro’, atëherë klubi italian do të përfitonte automatikisht të gjitha 14 milionë eurot e bonuseve, pavarësisht nëse kushtet për aktivizimin e tyre ishin përmbushur apo jo.

Duke qenë se City raportohet se ka rënë dakord për shitjen e tij te Al Qadsiyah për rreth 60 milionë euro, kjo do të ishte një goditje e fortë financiare për Milanin, i cili do të arkëtonte edhe 14 milionë euro të tjera.

Megjithatë, transferimi nuk është ende i sigurt. Reijnders duhet të japë miratimin për kalimin në Arabinë Saudite, ndërsa thuhet se ai mund të preferojë të qëndrojë në Evropë.

Për 28-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Nottingham Forest, Galatasaray dhe Juventus.

Sidoqoftë, për Milanin destinacioni nuk është i rëndësishëm: nëse Reijnders largohet nga City gjatë kësaj vere, 14 milionë euro do të përfundojnë në arkat e klubit italian./Telegrafi/