Please enter at least 3 characters.

Michail Antonio gjen klub të ri 15 muaj pas aksidentit të rëndë - shumë klube angleze e refuzuan

Ish-sulmuesi i West Ham United, Michail Antonio, ka nënshkruar kontratë me klubin nga Katari, Al-Sailiya, 15 muaj pas një aksidenti të rëndë me makinë që i shkaktoi disa thyerje në këmbë.

35-vjeçari ka treguar se rruga për t’u rikthyer në futboll nuk ka qenë aspak e lehtë, duke pranuar se iu desh të “gëlltiste egon” për të siguruar një kontratë të re.

Sipas raportimeve të Daily Mail, bisedimet me Brentford, Leicester City dhe Charlton Athletic dështuan, ndërsa disa klube të Ligës Premier hezitonin ta nënshkruanin për shkak të historisë së lëndimeve.

Antonio theksoi se shumë klube ishin të kujdesshme për shkak të aksidentit, por ai mbetet i bindur se mund të rikthehet në nivelin e tij më të lartë. Sulmuesi i përfaqësueses së Xhamajkës, i cili u rikthye në futbollin garues në qershor në Kupën e Artë të CONCACAF, foli për BBC Sport.

“Unë ende kam cilësinë që kam treguar në Ligën Premier për dhjetë vitet e fundit. Çdo trajner me të cilin jam stërvitur më ka ofruar kontratë menjëherë, por disa klube nuk donin as të më merrnin në konsideratë për shkak të aksidentit”

“Trajneri mund të të dojë, por në fund janë paratë e pronarit ato që vendosin. M’u desh ta gëlltis egon”, deklaroi ai.

Antonio fillimisht refuzoi të shkonte në prova, duke besuar se karriera e tij dhjetëvjeçare në Ligën Premier fliste vetë.

“Nuk doja të shkoja në prova. Thosha: ‘Më keni parë të luaj për dhjetë vite, nuk kam nevojë të provoj veten’. Por klubet më thanë qartë: nëse nuk vjen në prova, nuk do të të nënshkruajmë”.

Pas një periudhe stërvitjeje me ekipin U-21 të West Hamit dhe rikthimit me Xhamajkën, ai vendosi të pranojë provat dhe u stërvit për dy javë me Brentfordin.

Zhgënjimi para firmës

Antonio zbuloi se ishte shumë pranë transferimit te Brentford, por një dëmtim i ri e pengoi marrëveshjen.

“Kur mësova se isha dëmtuar një ditë para nënshkrimit me Brentfordin, qëndrova dy ditë në shtrat. Ditën e parë qava, ndërsa të dytën nuk doja të zgjohesha”, tregon përjetimet e tij sulmuesi i njohur.

Pas dështimit të transferimit dhe një periudhe stërvitjeje të shkurtër me Charltonin, ai vendosi të pranojë ofertën nga Lindja e Mesme.


Tashmë, pas më shumë se një viti sfidash fizike dhe emocionale, Michail Antonio nis një kapitull të ri në karrierën e tij me Al-Sailiya në Katar. /Telegrafi/