Mësohen detajet e ceremonisë së varrimit të këngëtarit Shpat Kasapi
Familja e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, ka bërë publike detajet mbi ceremoninë mortore dhe homazhet që do t’i organizohen artistit, duke ftuar të gjithë dashamirët të marrin pjesë në lamtumirën e fundit.
Në njoftimin zyrtar, familja shpreh dhimbjen e saj të thellë dhe falënderon të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllime ditët e fundit, duke theksuar se Shpati do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij të gëzuar dhe zemrën e bardhë.
Homazhet për Shpat Kasapin do të mbahen të dielën, më 30 nëntor 2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Familja ka theksuar se të gjithë ata që duan ta nderojnë artistin janë të mirëpritur të marrin pjesë.
Pas homazheve, ceremonia e varrimit do të vazhdojë në varrezat e qytetit të Tetovës, në orën 14:00. Ky do të jetë momenti kur familja, miqtë dhe fansat do t’i japin lamtumirën e fundit këngëtarit të dashur.
Në njoftimin mortor, familja e përshkruan Shpatin si një njeri plot dritë, dashuri dhe mirësi, ndërsa përfundon me mesazhin prekës: “Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij. U prehtë në paqe.”
Ceremonia e së dielës pritet të mbledhë një numër të madh qytetarësh, duke qenë se Shpat Kasapi ishte një prej emrave më të dashur të skenës muzikore shqiptare. /Telegrafi/


