Please enter at least 3 characters.

Mësimi dual, Kurti në Skenderaj: Një model që lidh shkollën me ekonominë, dijen me zanatin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar në Skenderaj, ku tha po mbahen provimet e para praktike për gjeneratën e parë të nxënësve që ndjekin sistemin dual të arsimit profesional në katër profile të ndryshme.

Kurti në një postim në Facebook tha se është hera e parë në historinë e arsimit në Kosovë që zbatohet në këtë përmasë një model që lidh shkollën me ekonominë, dijen me zanatin, të ardhmen me mundësinë reale të punësimit.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:

Suksese e urime gjeneratës së parë të arsimit dual në Kosovë!

Dje dhe sot, në Skenderaj, po mbahen provimet e para praktike për gjeneratën e parë të nxënësve që ndjekin sistemin dual të arsimit profesional në katër profile të ndryshme - muratorë dhe punëtorë të ngjashëm.

Më 4 prill 2022, në këtë komunë u nënshkruan kontratat e para të marrëveshjeve të mësimit në kompani. Tre vjet më vonë, po korrim frytet e këtij vizioni të përbashkët për një arsim që përgatit të rinjtë tanë jo vetëm me dije teorike, por edhe me aftësi praktike në përputhje të drejtpërdrejtë me kërkesat e tregut të punës.

Kjo është hera e parë në historinë e arsimit në Kosovë që zbatohet në këtë përmasë një model që lidh shkollën me ekonominë, dijen me zanatin, të ardhmen me mundësinë reale të punësimit - ashtu që për çdo diplomë të kemi vend pune, por edhe çdo vend pune të jetë me një diplomë shkolle paraprake.

Suksese në provime dhe urime për certifikimin. /Telegrafi/