Merkel, pse ishte aq e akullt? Kështu ndodh kur nuk vjen në Tiranë për Kosovën
Tani që Merkel iku natyrshëm filluan analizat dhe komentet mbi atë se çfarë efektesh do të ketë kjo vizitë. Shumë gazetarë nuk e fshehën vështirësinë për të shkëputur mesazhet e vizitës së Merkel.
Njëri prej tyre, Andi Bushati shkroi se:
“Ndaj në këtë kuptim, ankthi ynë i kotë, për të ç’koduar mesazhin e udhëtimit të saj, duket një shqetësim tejet lokal. Me siguri nga ky pesë orësh në Tiranë, nuk do të mbahet mend asgjë që na intereson drejtpërdrejt. Dhe pasi Merkel të largohet, ne ka rrezik të vazhdojmë të diskutojmë më shumë sesa për vizitën e saj, për transformimin rrënjësor që Edi Rama i bëri kryeministrisë, duke pritur që Merkel të vinte”.
Pothuajse të gjithë hasëm këtë vështirësi. Avioni i Merkel u ul para kohe në Rinas. Mysafirja Merkel bëri disa xhiro në pistën e Rinasit jo se kishte merakun që pritësit nuk ishin bërë gati akoma, por se nuk i duhej më shumë kohë me kryeministrin shqiptar se ajo që kishte planifikuar. Me pak fjalë nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të diskutuar.
Merkel tha:
1-Anëtarësim ne BE nuk mund të ketë për një vend që ka akoma azilkërkues që akuzojnë shtetin për varfërinë.
2-Në Shqipëri sipërmarrjet jetojnë në një vend jo aq të lehtë. Terreni është i pasigurt.
3-Kryeministri Rama nuk është lider i rajonit.
4-Nuk ka BE pa reformën në drejtësi.
5-Duhet bërë shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
6-Rrezikun islamik nuk mund ta përdorni si kërcënim për tu bërë anëtare e BE-së pa standarde.
Këto ishin pak a shumë mesazhet dhe porositë e kancelares Merkel për Shqipërinë. Duke krahasuar këto mesazhe me ato të liderëve të tjerë globalë që kanë zbritur në Tiranë, ka një kontrast të madh.
Mesazhet janë “shuplaka” dhe detyra për Shqipërinë. A ka qenë Shqipëria dhe më keq në këto 25 vjet?
Sigurisht që po. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund të shkojmë edhe më keq. Pyetja që shtrohet është se, pse kancelarja
Merkel ishte kaq e drejtpërdrejt dhe e akullt me Tiranën zyrtare?
Sepse ndoshta për herë të parë në 25 vite, Tirana u vizitua nga një lider me peshë globale vetëm për Tiranën. Nuk kishte mesazh për Kosovën.
Tashmë Kosova ka liderët e vetë. Dhe zyrtarët e Tiranës nuk mund tu shpëtojnë kritikave, për shkak të nevojës ndërkombëtare që Tirana zyrtare të flasë edhe në emër të Prishtinës. Pas vizitës së Merkel, ka shumë gjasa që asnjë kryeministër të mos insistojë më kaq shumë për tu vizituar nga liderët e botës.
Ata që do vijnë, nuk do vijnë më kryesisht për Kosovën. Do vinë vetëm për Tiranën. Dhe kush do e shikoj të arsyeshme ta vizitojë Tiranën zyrtare, do vij të flasë për problemet e pafundme që politika i ka shkaktuar këtij vendi. Kryeministri Edi Rama me siguri është penduar që ka lejuar Endri Fugën t’i porosisë gazetarët që të pyesin kancelaren Merkel, a ishte Edi Rama lideri i rajonit.
Oreksi i madh të le pa gjë. Të njëjtën gjë bëri një TV me analistin Partosh para pak ditësh. Edhe Gabriel Partosh u pyet nëse Edi Rama po shikohet si lideri i rajonit? Dhe përgjigja ishte: “Unë nuk do ti vija paratë bast për Edi Ramën. Interesi është tek pragmatizmi i Vuçiç”.
Si përfundim, nga sot çdo kryeministër shqiptar do të jetë më i kujdesshëm në lojën me “miqësitë” personale.


