Merkel dhe shkurtimi i borxhit
Karrierat politike vendosen në momente si ky. Paralajmërimet e vazhdueshme për një Grexit të mundshëm nga ana e Sigmar Gabriel e bëjnë tani të pamundur për SPD-në të distancohet nga politika katastrofale evropiane e Angela Merkelit. Në planin e politikës ekonomike socialdemokratët janë deklasuar vetë në një element të tretë të Bashkimit, njëfarë apendiciti lëvizës ndërmjet CDU-së dhe CSU-së.
Alternativat e vërteta tani gjenden vetëm në krahët ekstremë, të djathtë apo të majtë. E vetmja mundësi e vogël për t’u kthyer në një qëndrim racional ndodhet pikërisht në duart e vetë Merkelit, e cila mund ta shmangë débâcle-n duke dhënë pëlqimin e saj për zhvillimin e një konference për borxhin grek.
Mund të shërbejë në pjatë një fshirje e borxhit përballë reformave rigoroze: asnjë masë kursimi, por reforma të vërteta strukturore. Politikisht, një propozim i këtij lloji do ta vinte Aleksis Tsiprasin në vështirësi; tekefundit për të do të ishte tejet e vështirë të dilte kundër. Në planin ekonomik fshirja e borxhit nuk ka alternativa. Është e rrallë për mua ta përdor këtë shprehje sepse politika – dhe mbi të gjitha politika ekonomike – qëndron në të zgjedhurin mes alternativash të ndryshme. Dhe, megjithatë, në këtë rast shprehja është e përshtatshme.
Shkurtimi i borxhit, fryt i bisedimeve apo i njëanshëm, është një rrjedhojë matematike e parametrave ekonomike të përcaktuara për Greqinë. Vendi do të qëndrojë në euro vetëm nëse do të përmbushen saktësisht katër kushte: falja e borxheve, një rifinancim i sistemit bankar, reformat e vërteta strukturore dhe përfundimi i politikës së masave shtrënguese. Nëse Gjermania dhe financuesit e tjerë japin miratimin e tyre, atëherë Grexit-i mund të shmanget. Përndryshe do të ndodhë, është një e dhënë faktike.
Pyetja është: a mundet dhe a do që ta bëjë Merkeli? Mes radhëve të saj ka turbullira dhe ajo e di se edhe Volfang Shauble e konsideron tashmë Grexit-in si rrugën e duhur. Duhet t’i tejkalojë rezistencat dhe ta pranojë indirekt se politika e saj për t’i rifinancuar borxhet e vjetra me të reja ka dështuar.
Një studim i historisë ekonomike do ta kishte bërë sipërfaqësor këtë pohim të vonuar. Leksionet që mund të nxirren nga ekonomia janë rrallëherë të pangatërrueshme, por historia na mëson padyshim se kriza e borxhit duhet zgjidhur shpejt. Kush vjen me vonesë ndëshkohet nga rrethanat.
Vendimi racional për Gjermaninë do të ishte të pranonte një shkurtim të borxhit. Aleksis Tsipras po jep sinjale se dëshiron të bisedojë. Dhe Merkel duhet ta bëjë një gjë të tillë.


