Menaxheri i Kosovës siguron tifozët: Të gjithë ata që kanë blerë bileta do të lejohen të futen në stadium
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka dhënë një informacion shumë me rëndësi për tifozët që do të udhëtojnë për ta përcjellë ndeshjen e ‘play-off’-it ndaj Sllovakisë.
‘Dardanët’ do të synojnë fitoren në Bratislavë, për të arritur deri te një finale eventuale ku do të ndeshej me fituesin e duelit Turqi-Rumani dhe ai duel do të përcaktonte pastaj ekipin që siguron biletën për Kupën e Botës 2026.
Shala ka thënë se tifozët që kanë blerë bileta për këtë ndeshje do të arrijnë të futen në fushë pavarësisht sektorit se ku e kanë siguruar biletën, por që simbolet e Kosovës do të lejohen vetëm në pjesën e dedikuar veçmas për tifozët e Kosovës.
“Kanë qarkulluar informacione se tifozët e Kosovës që kanë blerë bileta në sektorët tjerë përpos atyre mysafirëve nuk do t'u lejohet hyrja dhe kjo nuk qëndron”.
“Ata që kanë blerë bileta kanë të drejtë të hynë në secilën pjesë të stadiumit. Simbolet shtetërore të Kosovës do të lejohen vetëm në tribunën ku do të jenë të vendosur ‘Dardanët’, por jo edhe në tribunat tjera të stadiumit. Ky vendim është marrë nga Federata e Futbollit e Sllovakisë", ka thënë Shala.
Ekipi i Telegrafit ndodhet në Bratislavë, me gazetarët Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri, si dhe kameramanin Korab Basha.
Udhëtimi i ekipit është mundësuar nga 99esim, Globi M.I, DFK Group dhe Lasko./Telegrafi/


