Me shumë mund, fiton Besiktasi
Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte mbushur përplot me Plisat, të cilët kishin organizuar një koreografi impresionuese për këtë ndeshje, si dhe gjatë tërë ndeshjes kanë brohoritur e mbështetur ekipin e tyre më shumë se kurrë. Në anën tjetër kishin ardhur edhe disa tifozë të Besiktasit, të cilët gjithashtu ishin organizuar shumë mirë dhe vetëm ia shtuan hijeshinë kësaj super-sfide.
Gjithashtu, duhet të komplimentohet organizimi i shkëlqyeshëm i drejtuesve të Sigal Prishtinës për këtë ndeshje, që ishte dëshmia më e mirë për ndërkombëtarët se janë të gatshëm për Ligën Ballkanike.
Çereku i parë u përshkua me shumë ndryshime në rezultat, mirëpo Sigal Prishtina edhe pse nuk e nisi mirë ndeshjen, ia arriti ta përfundojë çerekun me një pikë epërsi, 20-19. Kontributin më të madh e dha qendra Blerim Mazreku, i cili e konfirmoi formën e lartë për këtë edicion.
Edhe çereku i dytë ishte i ngjashëm me të parin, me shumë ndryshime në epërsi. Bardhekaltërit e gjetën formën e tyre dhe filluan ta zbatojnë lojën me kundërsulme qe edhe i karakterizon ata, teksa për Besiktasin shkëlqeu me trepikëshat e tij australiani Backman. Për ta përmbyllur në mënyrë spektakolare këtë pjesë u përkujdes kapiteni Edmond Azemi, i cili shënoi në sekondën e fundit për t’i ngritur në këmbë të gjithë Plisat e pranishëm, 44-37.
Bardhekaltërit i ndezën motorët në çerekun e tretë duke i ‘bombarduar’ turqit me shënimë të njëpasnjëshme, teksa edhe krijuan epërsinë më të lartë në këtë takim prej 17 pikëve, (57-40), mirëpo pastaj e humbën përqëndrimin dhe me një seri prej 12-0, Besiktasi e ngushtoi epërsinë në vetëm gjashtë pikë, 59-53.
Mysafirët e vazhduan serinë e tyre edhe në çerekun e katërt dhe u rikthyen fuqishëm në lojë, teksa bardhekaltërit tashmë e kishin humbur fillin e lojës. Ishte Chris Lofton, ai i cili e shkatërroi Sigal Prishtinën me trepikëshat e tij në këtë çerek, i cili i shënoi gjashtë gjithsej në këtë takim dhe padyshim se ishte lojtari më i mirë në fushë. Ndeshja përfundoi me dhjetë pikë epërsi për Besiktasin, 70-80.
Ju përkujtojmë se këto dy klube do të takohen edhe nesër për të zhvilluar ndeshjen e dytë miqësore mes vete, por kësaj radhe në qytetin e bukur të Prizrenit, më saktësisht në palestrën ‘Sezai Surroi’.
| Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
| 1 | Kendrick Jones | 16 pikë |
| 2 | Blerim Mazreku | 15 pikë |
| 3 | Fisnik Rugova | 9 pikë |
| 4 | Tay Waller | 9 pikë |
| Koshashënuesit më të mirë të Besiktasit: | ||
| 1 | Chris Lofton | 20 pikë |
| 2 | Brad Backman | 14 pikë |
| 3 | Gokhan Sirin | 11 pikë |
| 4 | Tomislav Ruzic | 6 pikë |
/Telegrafi/


