Më shtrenjtë se vitin e kaluar, prodhimet bujqësore rriten për 5.8% në tre muajt e parë të vitit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë (TM1) 2026, duke treguar një rritje të përgjithshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore është rritur për 5.8%.
Rritja më e madhe është shënuar te prodhimet bimore me 7.0%, ndërsa prodhimet blegtorale kanë pësuar një rritje prej 4.9%.
Të dhënat janë mbledhur nga tregjet vendore, fermat dhe burime të tjera relevante, duke përfshirë çmimet e produkteve si drithërat, perimet, pemët, si dhe produktet blegtorale si qumështi, vezët dhe mjalti.
ASK thekson se indeksi bazohet në vitin referencë 2020 (2020=100) dhe synon të pasqyrojë lëvizjet e çmimeve në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Ky zhvillim tregon një trend në rritje të kostos së prodhimit bujqësor, që mund të ndikojë edhe në çmimet përfundimtare për konsumatorët në treg. /Telegrafi/


