Me pistoletë në bagazhe drejt Italisë, arrestohet 30-vjeçari në Rinas
Një 30-vjeçar është arrestuar në Rinas teksa do të udhëtonte drejt Italisë, pasi nga kontrolli me skaner në bagazhet e tij është gjetur një pistoletë me municion luftarak.
Sipas njoftimit të policisë, arma do të trafikohej nga Shqipëria drejt vendit fqinj nga 30-vjeçari H.H., rezident në Itali.
Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ai u arrestua me akuzën për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara me qëllim parandalimin e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria në Itali.
Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në dalje të Shqipërisë, dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali. Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”./euronews/


